Flash News

Ditari i Opozitës

Të çlirohemi sa më parë nga drejtësia e kapur politike, për spektakël dhe pazarxhij!

Të çlirohemi sa më parë nga drejtësia e kapur

Nga Petrit Vasili

Ta themi hapur dhe pa doreza, në Shqipëri ka thjesht dhe vetëm një drejtësi të shëmtuar të kapur politike, që bën spektakël dhe që bën të gjithë llojet e pazareve.

Në shpërthimin e arrogancës së dhunshme qeveritare, që shkel çdo ligj ata mbrojtësit e ligjit duhet të ishin në vijën e parë të zjarrit për mbrojtjen e ligjshmërisë, por duke qenë drejtësi e kapur dhe me regji ajo mbyll sytë dhe lidh duart.

Por drejtësia që nuk vepron dhe i ka dhënë mbështetje e alibi të plotë antiligjit dhe ka vrarë shpresën se qytetarët e grabitur mund të jenë ndonjë herë të barabartë përpara ligjit.

Drejtësia politike, që nuk guxon as të veprojë dhe as t’i zërë emrin kryeministrit, të cilit i rëndojnë faje penale pa fund i vërvitet egërsisht liderëve të opozitës duke i rrëmbyer dhe akuzuar pa prova fakte apo dokumente, duke e kthyer drejtësinë de facto në një parti politike shumë aktive në krah të qeverisë.

Drejtësia që bën spektakël organizon rrjedhje me regji të dosjeve në media dhe diskreditim të orkestruar publik të kundërshtarëve të kryeministrit, ndërkohë që mban heshtje varri, një omerta' të vërtetë, për aferat që rëndojnë mbi vete kryeministrin.

Drejtësia që bën pazar dhe dy standardet i ka shndërruar në një mënyrë pune të neveritshme që shikohet nga të gjithë dhe ku kjo drejtësi e përdhosur as skuqet as zverdhet.

Drejtësi që bën sikur nuk sheh e nuk dëgjon fakte dhe prova tronditëse të bëra publike botërisht dhe që në vend që të veprojë bën pazarin e radhës.

Drejtësi që bën sehir përballë banditizmit qeveritar, që nuk ka kursyer as kufijtë shtetërore e jo me miliarda euro fonde të taksave të djersës dhe gjakut të shqiptarëve, por që është e paprekshme nga drejtësia, e cila me regjinë e kryeministrit bën sikur dënon ndonjë nga bedelët e pushtetit që nuk i duhen më atij.

Drejtësi që godet pa mëshirë denoncuesit e aferave të qeverisë dhe jo qeverinë fajtore.

Drejtësi që godet egërsisht gazetarët dhe mediat, që denoncojnë me fakte korrupsionin dhe vjedhjet e qeverisë por jo fajtorët e qeverisë duke filluar nga kryeministri.

Drejtësi, që mbyll paturpësisht dosjet me denoncimet e korrupsionit dhe shpërdorimit mafioz të pushtetit dhe nga ana tjetër hap dosje me denoncime të rreme të bëra nga persona mizerabël e me precedentë penalë pa fund.

Drejtësi ku horrat dhe banditët nuk kanë asnjë frikë prej saj, ndërsa të ndershmit janë të frikësuar nga padrejtësia, që ajo prodhon pa pushim në dëm të tyre dhe në favor të maskarenjve.

Drejtësi amorale që i bën moral të gjithëve duke qenë e kompromentuar gjer në palcë për vete edhe në planin personal individual.

Drejtësi korporatiste që funksionon mbi klane të organizuara dhe të egra, që synojnë kontrollin okult nga brenda sistemit të drejtësisë me qëllim që të sigurojnë kontroll mbi politikën si dhe garantojnë pazaret për aferat, që kanë në gjykim. Në funksion të këtij koorporatizmi drejtuesit e institucioneve të drejtësisë kombinojnë pazaret për të vendosur lakejtë e tyre të bindur që përmbushin urdhrat e tyre në të gjitha nivelet e gjykatave, që nga Gjykata Kushtetuese e deri në të gjitha nivelet.

Drejtësi, që nuk i ka sjellë as me voglën siguri juridike qytetarëve, por i ka lënë në dorë të mafiozëve qeveritare që bëjnë çfarë duan me pronën, me punën dhe jetën e njerëzve.

Drejtësi e paaftë dhe mediokre që demonstron një nivel profesional pak të thuash mizerabël e që shkruan dosje në kufijtë e debilitetit e ku thashethemi i kafenesë dhe jo prova, dokumenti apo fakti, janë këto thashetheme, që ndërtojnë dhe mbushin dosjet.

Drejtësia ky pushtet kushtetues ështeë pra qartësisht në një kalbje, që po kalb totalisht themelet e shtetit dhe po ja le atë narkomafies në dorë.

Çlirimi sa më parë nga kjo drejtësi e kapur dhe me regji politike, për spektakël dhe pazarxhij është një hap jetik dhe i pashmangshëm për të normalizuar sado pak tronditjen e tmerrshme, që kanë marrë themelet e shtetit ligjor në Shqipëri.

Të fundit