Flash News

Ditari i Opozitës

Të hënën seanca plenare/ Bardhi letër Kuvendit: Të shmangen provokimet dhe të respektohet rregullorja

Të hënën seanca plenare/ Bardhi letër Kuvendit: Të

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka drejtuar një letër Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke kërkuar shmangien e çdo provokimi ndaj opozitës dhe garantimin e kohës së nevojshme për zhvillimin e debatit parlamentar.
Ndërsa pritet të mbahet të hënën seanca e radhës parlamentare, në letrën e tij, Bardhi ka theksuar se çdo ndryshim i njëanshëm në të drejtat e deputetëve të pakicës, apo çdo interpretim i ri i Rregullores së Kuvendit pa konsensus, përbën shkelje të parimeve të parlamentarizmit dhe rrezikon të drejtat e opozitës, situatë që ai e cilëson të papranueshme.

Letra e plotë: 

 Z. Kryetar i Kuvendit, Në vijim të urdhrit tuaj nr. 24, datë 24.10.2025, me të cilin është thirrur seanca plenare për datën 27.10.2025, ora 10:00, dhe është njoftuar rendi i ditës, ju bëjmë me dije se në rendin e ditës, në pikat 5-9, janë përfshirë raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese. Sipas dakordësisë së Konferencës së Kryetarëve, për çdo raport është përcaktuar kohëzgjatja prej 150 minutash.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, konfirmojmë kërkesën tonë për zhvillimin e debatit, brenda kohës së përcaktuar prej 150 minutash për secilin raportim.

Lutemi që të shmanget çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke lejuar secilin prej tyre të parashtrojë pyetjet dhe qëndrimet e veta për çdo institucion, në përputhje me nenin 103, pika 7 të Rregullores së Kuvendit dhe me praktikën parlamentare 34-vjeçare.

Çdo ndryshim i njëanshëm i këtyre të drejtave, apo interpretim arbitrar i Rregullores së Kuvendit, do të konsiderohet cenim i parimeve të parlamentarizmit dhe kufizim i padrejtë i të drejtave të opozitës, gjë që do të ishte e papranueshme për përfaqësuesit tanë.

Për këtë arsye, në ushtrim të përgjegjësive tuaja, ju kërkojmë të ndërmerrni masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndaloni menjëherë çdo akt provokues ndaj opozitës, duke garantuar një sjellje konstruktive e dinjitoze në punimet e Kuvendit të Shqipërisë.

Të hënën seanca plenare/ Bardhi letër Kuvendit: Të

Të fundit