Flash News

Ditari i Opozitës

Të hënën seancë plenare në Kuvend, çfarë do të diskutohet

Të hënën seancë plenare në Kuvend, çfarë do

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet ditën e hënë, më 16 qershor 2025, në orën 13:00, në një seancë plenare, ku pritet të shqyrtohet një nga projektligjet me rëndësi në fushën e energjisë dhe ndërtimit: Projektligji “Për performancën energjetike të ndërtesave”.

Në urdhrin e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, theksohet se seanca zhvillohet në kuadër të kalendarit të punimeve për periudhën 29 maj – 18 qershor 2025, ndërsa përveç diskutimit të projektligjit, do të shqyrtohen edhe çështje jashtë rendit të ditës.

Rendi i plotë i ditës është si vijon:

Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.6.2025.
Njoftime nga Kuvendi.
Shqyrtimi i projektligjit “Për performancën energjetike të ndërtesave”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca vjen pas një jave mungese, pasi të enjten që lamë pas nuk u zhvillua mbledhje parlamentare për shkak të vizitës zyrtare të Kryetares Spiropali në Ukrainë.

Në njoftim theksohet se shërbimet e Kuvendit janë ngarkuar me përgatitjen e dokumentacionit parlamentar, si dhe me njoftimin e deputetëve përmes mjeteve elektronike, në përputhje me nenet 7 dhe 27/1 të Rregullores së Kuvendit.

Kujtojmë se projektligji për performancën energjetike të ndërtesave është pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e standardeve të ndërtimit dhe rritjen e efiçencës energjetike, në përputhje me angazhimet e vendit ndaj politikave të gjelbra dhe integrimit në BE.

Të fundit