Flash News

Ditari i Opozitës

“Të pastrojmë me themel Tironën", Kalaja prezanton kandidaturën për primare: Do pranoj çdo rezultat për fitoren ndaj Veliajt

“Të pastrojmë me themel Tironën", Kalaja prezanton

Adriana Kalaja është kandidatja e fundit që shpalli sot kandidaturën për primaret e PD-së për Bashkinë e Tiranës. Në një deklaratë nga selia blu, Kalaja shpalosi në mënyrë të përmbledhur programin e saj me moton “Të pastrojmë me themel Tironën tonë".

Kalaja hodhi akuza ndaj kryebashkiakut aktual Erion Veliajt se e ka dëmtuar dhe betonizuar Tiranën.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të transformimit dhe përçudnimit, që Kryetari i Bashkisë Veliaj, duke ndjekur të njëjtën rrugë si ajo e shefit të tij Rama, në bashkëpunim me mafian e betonit, i kanë bërë Tiranës.

Të gjithë e provojmë çdo ditë, se çfarë do të thotë të qarkullosh në Tiranë apo të parkosh. Edhe në rastet emergjente. Po kështu, të gjithë e shohim se hapësirat e gjelbra dhe terrenet sportive janë zëvendësuar me kullat shumëkatëshe, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pastrim parash.

E gjitha kjo me një ndikim në ajrin që thithim çdo ditë nëpër rrugët e Tiranës, ajër i mbushur me pluhurin e betoniereve dhe zhurmën e tyre, që kanë zëvendësuar edhe ninullat e nënave, duke ndikuar dhe ulur ndjeshëm cilësinë e jetës.

Të flasësh në vitin 2022 për mungesën e ujit dhe të transportit publik në shërbim të qytetarëve e bën Tiranën të krahasueshme me vendet e pazhvilluara shumë larg Europës dhe aspak me ato në mes të saj gjeografikisht. E gjitha kjo, nën një plan anti-Tiranë, ai i humbjes së kujtesës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit kombëtar”, tha Adriana Kalaja.

Kjo e fundit theksoi se do të pranojë çdo rezultat, që do të dalë pas votimit nga anëtarësia dhe simpatizantët, ndërsa tha se “Do jem në krah të kandidatit fitues, për të arritur fitoren ndaj së keqes së madhe të Tiranës me emrin Erion Veliaj”.

Kalaja u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 12 nëntorit. Kalaja foli edhe për vetëm si një vajzë e lindur dhe e rritur në Tiranë.

“E lindur dhe rritur në Tiranë, nga një familje e thjeshtë por me tradita dhe parime morale, prindërit e mi kanë ushqyer tek unë dashurinë për Tiranën dhe identitetin e saj, vlerësimin për historinë qindravjeçare të saj, si edhe vlerat e larta për të qëndruar në krah gjithmonë të atyre, që kanë nevojë dhe të pamundurve.

Nuk besoj të ketë ndonjë qytetar të Tiranës dhe të rrethinave, që të mos ketë provuar “Kafen e Rremës”, të babait tim të ndjerë dhe të mos ketë shijuar gatimet nga duart e arta të nënës time.

Me edukatën e tyre për punëen kam ecur në jetë,  duke kaluar vështirësi të shumta, por edhe me arritje të mëdha, ku do të veçoj dy fëmijët e mi të mrekullueshëm.

Kam mbaruar Fakultetin Ekonomik, Dega Financë në vitin 1987 dhe në 2010 Fakultetin e Drejtësisë, Dega Juridik. Kam investuar në rritjen time profesionale dhe sot disponoj 4 liçenca, atë të Avokatit, të Kontablit të Miratuar, të Ekspertit Fiskal dhe të Ndërmjetësit.

Po kështu, kam ushtruar profesionin e mësimdhënies në degët bazë të finances dhe ekonomisë për vitet 1998-2009.

Si grua, qytetare, nënë dhe gjyshe e di shumë mirë se çfarë do të thotë të marrësh përsipër sfida të tilla, aq më shumë kur përballëke një pushtet, që ka deligjitimuar votën dhe garën, i cili mbahet në këmbë nga bashkëpunimi me mafian dhe krimin për të vjedhur votat”, deklaroi Kalaja.

Të fundit