Flash News

Ditari i Opozitës

Të përçarë pas 31 vitesh, flasin dy ish-dhjetoristët: PD shumë larg asaj që shpresohej të ishte në vitin ‘90

Të përçarë pas 31 vitesh, flasin dy ish-dhjetoristët:

Në Tiranë, opozita festoi sot e përçarë Ditën e Rinisë, një festë zyrtare, që lindi prej Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 90, e cila kulmoi me krijimin e Partisë Demokratike.

Kryetari i saj, Lulzim Basha, dhe ish-Presidenti Sali Berisha përkujtuan këto ngjarje në dy tubime të ndryshme.

31 vite më pas, dy i ish-dhjetoristët Astrit Patozi dhe Aleksandër Biberaj kanë komentuar për Top Channel situatën ku ndodhet sot Partia Demokratike.

“Partia Demokratike është shumë larg asaj që shpresohej të ishte në vitin ‘90 dhe mund të shkojë akoma më larg. Në rast se nuk do di të reflektojë që edhe nga kjo përplasje e brendshme të nxjerrë mësimet e duhura”, thotë Patozi.

“Në përgjithësi, partitë tona nuk janë demokratike. Por, ta mendosh që sot pas 31 vitesh nuk ke konkurrencë, nuk ke gare natyrisht nuk ndihesh mirë pasi nëse s’ke konkurrencë , nëse s’ke liri dhe demokraci brenda partisë, si do bësh demokraci për vendin tënd?”, pyet Aleksandër Biberaj.

Dy ish-dhjetoristët Aleksander Biberaj dhe Astrit Patozi ndajnë qasje të ndryshme për rezultatin final qe do prodhojë përplasja e ashpër Basha-Berisha.

Partia Demokratike do të vërtitet për shumë kohë mes një debati shumë të madh për legjitimitetin, të dyja palët do të pretendojnë se kanë legjitimitetin dhe përfaqësojnë Partinë Demokratike. Sa më gjatë të shkojë kjo agoni, aq më keq do jetë për Partinë Demokratike dhe demokratët”, thotë Patozi.

“Jo, nuk mendoj se do të kemi dy parti, do kemi një parti, mendoj se përsëri ka hapësirë për bashkëpunim, nëse nuk ndodh një bashkim vullnetesh pastaj le të vendose shumica dhe pjesa tjetër të jetë pakicë si fraksion i Partisë Demokratike”, shprehet Biberaj.

Të fundit