Flash News

Ditari i Opozitës

Teliti: Dështimi qeveritar me UK-të rriti borxhin me 100 mln euro në vit

Teliti: Dështimi qeveritar me UK-të rriti borxhin me 100 mln  euro

Koordinatori për Programin Ekonomik në PD, Dorian Teliti akuzon qeverinë se ka dështuar me UK-të, duke ju rritur borxhin ndaj OSHEE me 100 milionë euro në vetëm 12 muaj.

Në një postim në “Facebook”, Teliti shkruan se vitin e kaluar qeveria ia hoqi menaxhimin e ujësjellësve bashkive për t’i menaxhuar vetë, por për një vit borxhi i tyre është rritur me 100 mln euro.

"Vitin e kaluar qeveria ndërmorri politikën e përqëndrimit të menaxhimit të shoqërive të ujësjellës kanalizimeve, duke ja hequr këtë kompetencë 61 bashkive të vendit, me justifikimin se vetë qeveria do të ishte më e aftë të menaxhonte financiarisht këto shoqëri dhe se do reduktonte ndjeshëm borxhet e energjisë së papaguar ndaj OSHEE.

Por çfarë ndodhi realisht? A u ulën detyrimet e shoqërive të UK-ve për energjinë e papaguar ndaj OSHEE?
Fakt 1: Në 2023 borxhi i UK-ve ndaj OSHEE deklarohej nga Min.Financave në masën 260 milionë euro.
Fakt 2: Aktualisht, vetë Ministria e Financave konfirmon se ky borxh ka kapur vlerën e 360 milionë euro.
Kjo është pasqyra e vërtetë e keqmenaxhimit financiar qeveritar. Abuzime me tenderimet, emërimet politike dhe borxhet në rritje janë kryefjala e Rilindjes në qeverisje.
Ndaj duhet ndryshimi politik, o sot o kurrë, ndryshe borxhet do rriten akoma edhe me shumë, jetesa jonë do vështirësohet dita ditës", shkruan Teliti. 

Të fundit