Flash News

Ditari i Opozitës

Tensionet në Ballkan, Mediu depoziton në Kuvend një rezolutë me 5 kërkesa: Të njësohet një qëndrim mbarëshqiptar

Tensionet në Ballkan, Mediu depoziton në Kuvend një rezolutë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu  së bashku me një grup deputetësh të tjerë kanë dorëzuar sot në Kuvend një rezolutë, ku kërkohet që Shqipëria të ketë një qëndrim për situatën e tensionuar në Ballkan.

Situata në Bosnjë dhe zërat se një konflikt mund të shpërthejë në Ballkan, kanë detyruar deputetët të depozitojnë rezolutën me 5 kërkesa drejtuar qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera i kërkohet që këtë shqetësim ta përcjellë në institucionet ndërkombëtare si NATO, OSBE apo edhe Këshillin e Evropës.

“Me kolegun Bujar Leskaj, Isuf Çelaj, por dhe shumë të tjerë kemi menduar që të paraqesim në Kuvendin e Shqipërisë një projekt rezolutë, të cilën do ta diskutojmë me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në mënyrë që të arrijmë në një rezolutë të plotë, të përfaqësojmë qëndrimin e parlamentit dhe të forcave tona politike, për të njehsuar një qëndrim mbarëshqiptar në raport me zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit", tha Mediu. 

Kërkesat

1-Të ngarkojë qeverinë e Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë që të adresojë këtë problematikë në NATO

2- Përmes delegacioneve të veta në NATO, OSBE, KIE, dhe institucione të tjera ta shpërndanë këtë rezolutë dhe ta bëjë objekt debati.

3- I kërkon qeverisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën.

4- Të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare duke shpjeguar se lënia e këtij shteti jashtë ekspozon atë dhe rajonin përballë kërcënimeve ruso-serbe dhe destabilizimit të Ballkanit

5-Ka ardhur koha të zhvillohet një forum ndërparlamentar Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë dhe Maqedonia e Veriut me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare shqiptare.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit