Flash News

Ditari i Opozitës

Përjashtohen 10 ditë nga Kuvendi, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj. Asnjë masë për fyerjet e Ramës

Përjashtohen 10 ditë nga Kuvendi, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Kuvendi u përfshi dje në një debat pak para se të votohej Buxheti i vitit 2023. Kryeministri Edi Rama, kreu i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka dhe deputeti Bujar Leskaj, u përfshinë në një debat, që u pasua me një kërkesë për përjashtim 10-ditor të deputetëve.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i mbledhur mëngjesin e kësaj të premteje ka pranuar kërkesën e socialistëve për përjashtimin e Leskajt dhe Palokës për 10 ditë nga komisionet dhe seancat plenare të Kuvendit.

Paloka në një reagim në Facebook pas debatit, tregoi se kishte qenë Rama ai që i provokoi dhe të dy bashkë me Leskajn i dhanë përgjigjen e merituar. Sipas tij, Rama sajoi histori me të dehur.

Ndërkohë, Kuvendi nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese për gjuhën dhe fjalorin e përdorur nga kryeministri Edi Rama. Ai ju drejtua opozitës në seancën e së mërkurës, me fjalë banale dhe fyerje të shthurura. 

KËRKESA

Baza Ligjore: Rregullorja e Kuvendit, neni 63 pika “ç”, “Masa Disiplinore” dhe neni 65/1 “Masa disiplinore e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë”

E nderuar zonja kryetare e Kuvendit,

Lidhur me fyerjen e rëndë të etikës parlamentare, në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 10.11.2022, nga dy deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Bujar Leskaj dhe Edi Paloka, të cilët ndoshta nën ndikimin e pijeve alkoolike përdorën një gjuhë të rëndë fyese, si dhe u sollën në mënyrë të pahijshme përpara zhvillimit të procesit të votimit të projektligjeve që shqyrtoheshin në ketë seancë, në një grup deputetësh paraqesim këtë kërkesë: Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, neni 63, pika “ç” dhe neni 65/1, kërkojmë marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë; mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat Votimet dhe Etikën për vlerësimin dhe marrjen e masës së propozuar prej nesh”, thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë.

Ndërkohë më vonë, reagoi edhe Kryeministri Rama përmes një postimi në “Facebook”, duke i akuzuar deputetët demokratë si të pirë, të shitur dhe pa fe e pa atdhe. Në një postim në “Twitter”, kreu i qeverisë tha se seanca u mbyll me dy të dehur nga “Foltorja”, të cilët shanë me libër shtëpie në emër të popullit. Rama ka kritikuar qëndrimet e opozitës në seancën maratonë që zgjati dy ditë ku u diskutua buxheti 2023. Kryeministri tha se në 28 orë diskutime, asnjë nga partitë opozitare nuk pranuan që ka luftë në Ukrainë dhe asnjë nuk foli për lidhjen e këtij konflikti me krizën e çmimit të energjisë dhe inflacionit.

Të fundit