Flash News

Ditari i Opozitës

Thirrje për dhunë në tubime? Berisha: PD vjen në pushtet vetëm me votë, jo me dhunë

Thirrje për dhunë në tubime? Berisha: PD vjen në pushtet

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar përmes një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, duke ritheksuar se Partia Demokratike nuk synon ardhjen në pushtet përmes dhunës, por vetëm përmes votës së shqiptarëve.

Gjatë një bisede, qytetari i ka sugjeruar se protestat kundër qeverisë nuk duhet të jenë paqësore dhe se kryeministri Edi Rama, sipas tij, nuk largohet me mjete simbolike, por me presion të fortë popullor, në modele të ngjashme me protestat në Francë apo Greqi.

Berisha është distancuar qartë nga kjo qasje, duke theksuar se ndonëse Edi Rama, sipas tij, nuk meriton asnjë tolerancë për krimet që pretendon se ka kryer dhe do të përballet me ndëshkime të rënda, opozita nuk do të devijojë nga parimi i kryengritjes paqësore.

Ai ka nënvizuar se rruga paqësore është më e vështirë, por më e sigurt dhe më fitimtare për Partinë Demokratike dhe për vendin. Berisha ka kujtuar gjithashtu muajin shkurt të vitit 1991, duke e cilësuar si një periudhë të përgjakshme për demokratët, ku humbën jetën qytetarë të pafajshëm, u plagosën dhjetëra persona dhe u ushtrua dhunë ekstreme ndaj mbështetësve të opozitës së asaj kohe.

PJESE NGA BASHKEBISEDIMI

Met Noka: Doktor nuk ka arsye që protesta të jetë paqësore. Rama nuk ikën me lule, po me shkelma. Le te jetë si protestat e Francës, Greqisë ku e merr në dore populli jo me regji. Rrimë ikim. Pse nuk e lini popullin të bëjë çfarë të dojë në protestë, mos e pengoni.

Sali Berisha: Rama lule nuk meriton kurrë. Edi Rama meriton dhe do të ketë dënimet më të rënda që ka marrë kush ndonjëherë në këtë vend, për krimet që ka kryer.
Por përsëri ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve.
Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare.
Kjo është arsyeja. Nuk dua të hy në histori, por jemi në Shkurt dhe Shkurti i 1991 ishte një muaj i përgjakshëm për ne, siç e kujtoni ndofta.
Në shkurt të 1991 u vranë 8 qytetarë të pafajshëm, edhe një foshnje 2-vjeç në krevatin e gjumit tek flinte. U plagosën mbi 110 vetë në Tiranë, Fier dhe qytete të tjera.
U zvarritën pas kamionëve demokratët. U mbajtën me revole në kokë për kohë të tëra. Por ne me vendosmërinë tonë, qëndrimin tonë kundra dhunës ne fituam.
Ne prap do të fitojmë. Edhe ne mund të rrëmbenim armë, siç rrëmbyen armët vullnetarët e Enverit që ishin që të gjithë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ishin ushtarakë dhe të tjerë. Por jo ne i qëndruam asaj platforme dhe sot i qëndrojmë ne asaj platforme dhe them se, kjo platformë i ka shërbyer më shumë se çdo gjë tjetër Shqipërisë.

Të fundit