Flash News

Ditari i Opozitës

Tirana 2024: Beton, beton dhe… beton. Po fëmijët??

Tirana 2024: Beton, beton dhe… beton. Po fëmijët??

Nga Jonathan Pano

Raporti i fundit i Bashkisë për realizimin e buxhetit 2024 e tregon qartë se ku po shkon ky qytet: betoni lulëzon, ndërsa numri i femijëve në kopshte ulet.

Gjatë gjithë vitit 2024, 14.3 miliardë lekë janë mbledhur nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, një rekord absolut që tregon qartë se Tirana po ndërtohet në çdo cep. Realizimi është 226% mbi planin fillestar. Kjo nënkupton një bum ndërtimor me një vlerë totale prej rreth 1.79 miliardë euro ndërtime të reja.

Pra, ndërtuesit punojnë, paguajnë dhe ndërtojnë pa ndalesë. Por çfarë ndodh me qytetin si hapësirë jetese?

Përgjigjen e gjejmë tek statistikat që kalojnë heshturazi: rënia e numrit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike.

Të ardhurat nga këto institucione janë ndjeshëm më të ulëta se plani.

Kopshtet realizuan vetëm 72% të të ardhurave të pritshme

Çerdhet realizuan 93%.

Dhe Bashkia nuk e fsheh dot më:

“Ulja e frekuentimeve si pasojë e emigrimit të familjeve.”

Me fjalë të tjera, qyteti po rritet në kat dhe kubaturë, por po tkurret në jetë. Ndërtojmë më shumë se kurrë, por kemi gjithnjë e më pak fëmijë. Tregues i qartë se ky nuk është më një qytet ku njerëzit zgjedhin të rrisin familjet e tyre.

Një qytet ku sheshi bëhet kantiere, shkolla mbetet bosh dhe zëri i fëmijëve zëvendësohet nga zhurma e betonierëve. Në vend që taksat nga ndërtimet të kthehen në investime për jetën dhe të ardhmen, ato thjesht ushqejnë të njëjtin cikël: më shumë ndërtime, më pak njerëz.

Kjo është Tirana sot. Një qytet që mbushet me beton dhe zbrazet nga fëmijët.

Të fundit