Flash News

Ditari i Opozitës

U dhunua nga efektivët në protestë, Kalaja: Policia nuk njeh profesionalizëm, ne nuk shkelëm ligjin

U dhunua nga efektivët në protestë, Kalaja: Policia nuk njeh

Anëtari i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike, Aulon Kalaja, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë të pajustifikuar ndaj protestuesve.

Në një intervistë për SYRI TV, Kalaja u shpreh se tubimi ishte një e drejtë kushtetuese dhe ndërhyrja e policisë kishte si qëllim shpërndarjen e protestës, jo neutralizimin e elementëve problematikë.

“Protesta është e drejtë kushtetuese. Ata kanë të drejtë të neutralizojnë personat problematikë, por jo të shkatërrojnë protestën. Ne nuk e kemi shkelur ligjin në këtë rast,” deklaroi Kalaja.

Ai theksoi se policia ka vepruar me një plan të parapërgatitur.

“Në momentin që ata u futën në turmë, ndryshe nga çdo protestë tjetër, dukej qartë që kishte një plan të mirëmenduar. Qëllimi kryesor ishte shpërndarja e protestës, jo menaxhimi i saj”, tha ai.

Kalaja shtoi se në momentin e incidentit ndodhej pranë nënkryetarit të PD-së, Luçiano Boçi, dhe po përpiqej të ndihmonte Klevis Balliun të largohej nga kordoni i policisë.

“Në ato momente që nxora Klevisin, aty më është ushtruar e gjithë dhuna. Ne kemi qenë rreth 30 veta, përballë rreth 300 forcave policore”, vijoi Kalaja.

Sipas tij, përdorimi i forcës ishte disproporcional dhe i pajustifikuar, dhe ngriti gjithashtu shqetësime për trajtimin në spital.

“Policia nuk njeh profesionalizmin, nuk njeh proporcionalitetin dhe ka bërë atë të paimagjinueshmen ditën e djeshme, duke rrahur eksponentët më të lartë politikë në sytë e gazetarëve, duke i dhunuar njerëzit edhe njerëzit kanë qenë shtrirë për tokë Ministri i Brendshëm takoi policët dhe nuk gjeti kohë të më takonte mua si qytetar i Republikës së Shqipërisë. Nuk pati asnjë interes për protestuesit e dëmtuar”, deklaroi Kalaja.

Të fundit