Flash News

Ditari i Opozitës

"U futëm në zgjedhje si në 1991", Basha për ftesën e Ramës: Jo të prerë dhe finale, gënjeshtër për të na përçarë

"U futëm në zgjedhje si në 1991", Basha për
Kryedemokrati Lulzim Basha

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Elbasanit. Ai iu tha të djathtëve se Partia Demokratike u fut në zgjedhjet e 25 prillit në kushtet e një beteje të pabarabartë, duke e krahësuar me zgjedhjet e '91.

"Nuk është hera e parë që Partia Demokratike futet në një betejë të pabarabartë, por ne u futëm në këtë betejë jo thjesht dhe vetëm me vetëdijen se ishim në kushte te pabarabarta. Madje me vetëdije se po futeshim njësoj si në vitin 1991, pa asnjë pushtet institucional, pa asnjë instrument pushteti fizik, por po kështu të përgatitur se po futeshim me pushtetin me të madh që mund të ketë dhe zotërojë një krijese njerëzorë që është morali", tha kryedemokrati.

Ky i fundit foli për situatën kriminale në qytetin e Elbasanit, ndërsa përsëriti qëndrimin e tij se nuk e njeh rezultatin e 25 prillit, duke e cilësuar masakër zgjedhore.

Ai përsëriti se do të bindë aleatët për zhbërjen e kësaj "masakre" dhe përgatitjen e një platforme për rikthimin e legjitimitetit në vend. Basha komentoi edhe ftesën e kryeministrin Edi Rama për të bashkëpunuar.

Kreu i PD u shpreh se nuk do ta pranojë ftesën e Edi Ramës, duke e akuzuar atë se po hakmerret ndaj qytetarëve që bënë fushatë për PD. Basha shton se kjo ftesë është përpjekje e Ramës për të përçarë PD.

"Kryetari i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë prej orës parë, kështu është dhe kështu do të jetë për mua, nuk e njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të kryer mbi popullin tim, mbi qytetarët e mi, mbi Shqipërinë tonë dhe mbi demokracinë. Por do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.

Thënë kjo, nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri demokratet dhe demokratët duke i kërcënuar dhe duke i hequr nga puna, duke i transferuar, duke i mbyllur bizneset në këto momente që flasim, vetëm e vetëm sepse kanë bërë fushatë për kundërshtarin e tyre politik.

Ndaj edhe gënjeshtrës së tij të radhës dhe përpjekjes së tij për të na përçarë, për të na hutuar, për të na shpërqendruar nga misioni që kemi tani mbi supe. Ofertës së tij të helmët për demokracinë, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike në bindjen time i kam thënë dhe i përsëris dhe sot nga Elbasani një JO të prerë dhe finale", tha Basha.

Të fundit