Flash News

Ditari i Maxhorancës

Veliaj shmang pyetjen për denoncimin e prokurorit Dado: Olsi ka bërë një batërdi juridike

Veliaj shmang pyetjen për denoncimin e prokurorit Dado: Olsi ka

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga burgu lidhur me arrestimin e tij dhe akuzat që po përballon. Gjatë një interviste për emisionin Review në Euronews Albania, Veliaj ka kritikuar ashpër prokurorin Olsi Dado, duke e akuzuar për konflikt interesi, pasi ky i fundit kishte kërkuar leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Veliaj theksoi se hetimi ndaj tij është kryer në mënyrë të njëanshme dhe pa bazë të fortë ligjore.

I pyetur për arsyen pse ka kritikuar vetëm Dado dhe jo prokurorin tjetër të çështjes, Altin Dumani, Veliaj tha se Dumani nuk e ka pyetur atë gjatë hetimit, ndërsa Dado ka qenë përgjegjës për hetimin dhe akuzat ndaj tij. Veliaj shtoi se Dado ka nisur hetimin në bazë të një kallëzimi anonim dhe ka kryer një "veting" të jetës së tij për 20 vjet, duke i konsideruar këto veprime si një përpjekje për ta dëmtuar.

Pjesë nga intervista

Pyetje: Përveç ndryshimit të masës në apel, çfarë prisni nga strategjia që keni ndjekur me trajtimin e çështjes tuaj? (pushimin, ndryshimin e prokurorit etj)

Veliaj: Pres që ILD dhe KLP të vlerësojnë me integritet ankesat që kam çuar. Një noter, që licencën ia fal babi, prokuror në shkelje e bën shoqja, dëftesën e ka me 5-a dhe në SPAK e katapultojnë me komandim – nuk është e merituar dhe e ligjshme kjo. Sot po u themi të rinjve “mos mësoni, mos punoni, mjafton babi e shoqet, dhe ua merr hakën gjithë atyre që janë me 10-a e luftojnë e punojnë përditë me djersë, që s’kanë baballarë hiç”. Kjo nuk është Shqipëria për të cilën kam luftuar dhe ky rast anomalie duhet zgjidhur.

Pyetje: Ju keni kritikuar vetëm dy emra Dado - Bani, ndërkohë asnjë fjalë për prokurorin tjetër të çështjes tuaj Altin Dumani, pse? Dhe si e shihni qasjen e tij në dosjen tuaj?

Veliaj: Nuk jam pyetur nga Dumani, vetëm nga Dado, i cili përgjigjet e mia as denjoi t’i përfshinte në 367 faqe sajesa për lodra kalamajsh apo telefon në Kavajë e Rrogozhinë. Dado më ka kërkuar leje ndërtimi në konflikt interesi, e jo të tjerët. I gjithë pseudohetimi im është kryer nga noteri Dado dhe çdo akt procedural në këtë hetim është prodhuar prej tij.

Pyetje: Nëse do ktheheshit pas në kohë, gjatë kohës kur jeni marrë në pyetje apo procedura të tjera të SPAK-ut ndaj jush, a do t’i kishit denoncuar që atëherë? Nëse po, pse s’e keni bërë? Çfarë ju pengonte?

Veliaj: Kur jam marrë në pyetje jam thirrur si person në dijeni. Kjo, zbulova, është një “hile” për të mos regjistruar emrin e personit, edhe pse për verifikimin 700 ditor të Nesti Angonit shënjestra isha unë dhe vetingu 20 vjeçar nga mosha 24 vjeç më qe bërë mua. Pra, qe identifikuar personi shënjestër dhe tani duhen gjetur episode, që mund t’i vishen atij. Unë u shpalla në hetim më 10 shkurt, në atë ditë edhe u ndalova. Kur të flisja? Në izolim total, as fashikujt nuk më janë dhënë – çdo gjë rreth këtij komploti e mora vesh më pas. Pra, Ols Dado ka bërë një batërdi juridike, që edhe vetë Ish Sigurimi i Shtetit do e kishte zili montimin e këtij procesi hetimor. Ka filluar këtë hetim në bazë të një anonimati Nesti Angoni, I cili ka depozituar një letër bakalli, që nuk përmbush elementet minimalë për t’iu drejtuar një institucioni shtetëror e jo më për të kallëzuar kryetarin e bashkisë më të madhe në vend e për ta burgosur. E kanë marrë të ashtquajturin kallëzim në korrik të vitit 2023, ku vetëm nëse Ols Dado do ishte emëruar në bazë të kritereve ligjore si prokuror dhe një sistemi meritë, do duhej të verifikonte të dhënat e këtij “kallëzimi”, duke nisur nga ekzistenca e Nesti Angonit dhe përmbajtja e të dhënave të pasqyruara në të. Nga korriku i vitit 2023 dhe deri në shkurt të vitit 2024 Ols Dado ka kryer një veting të jetës sime 20 vjeçare, ku për një periudhë 10 vjeçare kam qenë një qytetar i thjeshtë i këtij vendi. Pas shkurtit 2024 ka regjistruar procedimin penal nr. 27 pa asnjë emër nën hetim dhe vetëm në muajin janar 2025 regjistron emrin tim e personave të tjerë në hetim e duke gjëmuar gjykatës me dosje në dorë se kush do ja merrte përsipër burgosjen time, pa gjyq e pa u dëgjuar.

Të fundit