Flash News

Ditari i Opozitës

Vizita e kryeministrit grek, Berisha: Zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik

Vizita e kryeministrit grek, Berisha: Zhurma se Himara është minoritet

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka folur për vizitën e djeshme të kryeministrit grek Kyriakos Mistotakis në Himarë, Derviçan dhe Finiq.

Berisha tha për mediat se kryeministri grek mund të vijë dhe të vizitojë çdo zonë në Shqipëri, por konsideroi absurd faktin që Mistotakis e quan Himarën një zonë minoritare.

Vlen për t’u theksuar se Himara nuk njihet si zonë minoritare në Kushtetutën e Shqipërisë. Këtë e pohonte vite më parë edhe kryeministri Edi Rama, por dje iu bind Greqisë.

“Së pari, kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik.

Askush më shumë se himariotët nuk janë larim në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar. Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë.

Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër përveçse bastion i shqiptarizmës. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre.

Ajo çka mund të them unë është kjo: patrikana duhet të shpallë një ndjesë publike ndaj himariotëve se në fakt, në periudhën kur ata qëndronin ndaj Portës, patrikana flirtonte edhe në kurriz të tyre. Gjë që i detyroi ata t’i drejtohen Vatikanit dhe të bëjnë një modifikim në besimin e tyre, të mbeten ortodoksë të afërt me ritin katolik.

Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. Flasin edhe shqip, edhe greqisht”, tha Berisha.

Të fundit