Flash News

Ditari i Opozitës

Vokshi në Këshillin e Europës: Emigrimi masiv i të rinjve, krizë e rëndë e demokracisë në Shqipëri

Vokshi në Këshillin e Europës: Emigrimi masiv i të rinjve,

Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht zëvendëspresidente e EPP Women, Albana Vokshi, ka denoncuar emigrimin masiv të të rinjve shqiptarë gjatë një fjalimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg.

Vokshi theksoi se mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi gjatë dekadës së fundit, kryesisht të rinj, duke e cilësuar këtë fenomen si një krizë të thellë që po godet themelet e demokracisë në Shqipëri. Sipas saj, mungesa e shpresës, përjashtimi nga proceset politike dhe funksionimi i rrjeteve të patronazhit po i detyrojnë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të braktisin vendin.

Vokshi paralajmëroi se largimi i vazhdueshëm i rinisë po dëmton rëndë përfaqësimin demokratik dhe po vë në rrezik të ardhmen politike, sociale dhe ekonomike të vendit.

"Sot, Shqipëria po përballet me eksod të rinisë. Sipas Eurostat-it, vetëm në dekadën e fundit, 1.1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të BE-së. 78% e azilkërkuesve shqiptarë janë nën moshën 34 vjeç. 80% e studentëve, 59% e maturantëve dhe 95% e atyre që studiojnë jashtë vendit duan të largohen dhe të mos kthehen më.

Raporti i fundit i Tranzicionit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i publikuar disa javë më parë, e konfirmon këtë alarm. Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë së saj përmes emigracionit dhe një e katërta e qytetarëve me arsim të lartë janë larguar.

Kjo nuk është një krizë ekonomike, kjo është një krizë e demokracisë! Sepse kur të rinjtë largohen, ata nuk marrin me vete vetëm aftësitë e tyre, por edhe zërin e tyre, votën e tyre dhe fuqinë për t’i mbajtur institucionet përgjegjëse. Pasoja është thellësisht shqetësuese.

Zgjedhjet në vendet tona po vendosen gjithnjë e më shumë nga ata që mbeten, jo nga ata që do të jetojnë në të ardhmen.

Të rinjtë largohen sepse u mungon shpresa; sepse ndihen të përjashtuar politikisht dhe të papërfaqësuar; sepse administrata publike është e kapur nga rrjete patronazhi dhe jo nga merita; sepse nuk përballojnë dot strehimin, nuk gjejnë punë dinjitoze, nuk përballojnë koston e lartë të jetesës dhe varfërinë në rritje të të rinjve.

Emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë janë tashmë një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë", deklaroi Vokshi.

Të fundit