Flash News

Ditari i Opozitës

Vokshi në Kopenhagen: Shqipëria duhet të ecë drejt standardeve europiane, jo përmes standardeve të dyfishta

Vokshi në Kopenhagen: Shqipëria duhet të ecë drejt

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka marrë pjesë në punimet e plenarit të 74 të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian (COSAC) të mbajtur në Kopehagen në 30 nëntor 2025, ku ka mbajtur një fjalë mbi rrugën europiane të Shqipërisë dhe rëndësinë e standardeve demokratike në procesin e integrimit.

Në këtë takim ishin të pranishëm të gjithë kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Europian dhe qindra parlamentarë.

Në fjalën e saj, deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh se aspirata e Shqipërisë është të bëhet një vend i krahasueshëm me Danimarkën, e cila konsiderohet model i shtetit të së drejtës dhe i mungesës së korrupsionit. Ajo theksoi se ‘rruga drejt Danimarkës’ simbolizon përpjekjen për çrrënjosjen e korrupsionit dhe vendosjen e një demokracie funksionale.

Duke folur para përfaqësuesve të parlamenteve kombëtare të vendeve të BE-së dhe eurodeputetëve, Vokshi nënvizoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë dhe e sigurt pa Ballkanin Perëndimor, por theksoi se kontributi i rajonit në BE është i mundur vetëm nëse vendet qeverisen nga ligji dhe standardet demokratike.

Vokshi u bëri thirrje institucioneve europiane të vijojnë mbështetjen për reformat që garantojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe integritetin zgjedhor, duke theksuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i bazuar në meritë dhe progres të matshëm sipas kritereve të Kopenhagës.

"Vetëm duke garantuar drejtësi të vërtetë, zgjedhje konkurruese, institucione funksionale dhe respektimin e të drejtave themelore, një vend mund të jetë kontributor i denjë në Bashkimin Europian," u shpreh deputetja Albana Vokshi, duke shtuar se Shqipëria mund t’i arrijë këto standarde me mbështetjen e partnerëve europianë.

Të fundit