Flash News
Shkatërrohet grupi i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, 16 të arrestuar! Sekuestrohen 55 armë
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Plagoset me armë zjarri i riu shqiptar në Greqi
Çfarë po ndodh? Bie Facebook, Instagram dhe WhatsApp
Aksident në Vlorë, makina përplas çiftin dhe vajzën e tyre 3-vjeçare
Vokshi publikon fotot: Çfarë pozicioni mbante Ilir Rrapaj në takimet me ministrat?
Në një seancë të tensionuar të Komisionit Hetimor të Shëndetësisë, biznesmeni Ilir Rrapaj dëshmoi sot për praninë e tij në takime zyrtare të nivelit të lartë, duke u përballur me pyetje të shumta nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi. Kjo e fundit vuri në dyshim funksionin e tij në këto mbledhje, ku janë të pranishëm zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të palës italiane.
Vokshi ngriti pikëpyetje mbi praninë e Rrapajt si përfaqësues i Konfindustrisë italiane, e cila nuk figuronte në dokumentet zyrtare të takimeve, duke kërkuar sqarime mbi rolin e tij. Rrapaj theksoi se ishte i ftuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës italiane, por Vokshi vazhdoi të kërkojë më shumë detaje, duke e vënë në pozitë të vështirë.
Vokshi: Cilat pozita kishit ju këtu? Në këto takime zyrtare, ku flitet për marrëveshje, vetëm zyrtarët marrin pjesë dhe ulen ata që kanë një pozicion (tregon foton). Atëherë, më thoni ju lutem, mirë, në takimin e parë ju ishit të ftuar nga Konfindustria, por nuk kishit rol, dhe ju sapo e pranuat se nuk kishit asnjë rol në marrëveshje. Atëherë, përse ndodheni ju këtu, ulur në takimet zyrtare të ministrit në nivele të larta zyrtare, për marrëveshje kuadër?
Rrapaj: Zonjë, unë nuk jam i ftuar i ministrit aty. Unë jam shtetas italian, me të gjitha funksionet e mia.
Vokshi: Nuk thashë ministrit, nuk e përmenda.
Rrapaj: Pse e përmendni ministrin kur ka president rajoni, rektorë universitetesh dhe institucione publike?
Vokshi: Sepse takimet ku janë ministrat janë takime të nivelit të lartë, këtë po them.
Rrapaj: Pse duhet të shqetësohem unë, nëse është nivel i lartë apo i ulët? Është një takim zyrtar publik ku unë kam funksionet e mia të deleguara nga institucionet italiane. Kam funksionin e ndihmësit për të gjithë enturazhin që përfshihet për të çuar deri në fund kurorëzimin e këtyre takimeve, që përfundon me firmën e memorandumit. Kjo është faza përgatitore, faza e hulumtimit.
Vokshi: Kush ka qenë pjesë e administratës e di se takimet ku janë ministrat janë takime të nivelit të lartë, dhe jo gjithkush merr pjesë. Meqë thoni që nuk jeni pjesë e palës shqiptare, atëherë, thjesht për të kuptuar, cili është roli juaj në këto takime të nivelit të lartë për palën italiane? Përfaqësuesi i kujt ishit ju?
Rrapaj: Zonjë, më vjen keq, nuk jam thjesht një qytetar shqiptar apo italian, por një përfaqësues i palës italiane, që më ka zgjedhur për këtë funksion.
Vokshi: Meqë flisni italisht mirë?
Rrapaj: Zonjë, unë nuk flas vetëm italisht mirë. Nuk është çështje e thjeshtë e zotërimit të një gjuhe.
Vokshi: Që ta mbyllim këtë pjesë, cili ishte pozicioni juaj në këto mbledhje?
Rrapaj: Nuk jam thjesht një qytetar, por përfaqësues i një shoqate, Konfin Italia, që është pjesë e Konfindustrias, për shoqëritë e mesme dhe të mëdha italiane.
Vokshi: Por këto takime nuk ishin me Konfindustrian italiane, por me Universitetin e Umbrisë dhe me rajonin e Umbrisë. Në dokumentet që kam lexuar unë, nuk përmendet Konfindustria italiane. Nuk po them që po gënjeni, por ndoshta nuk ka qenë i derguar i Konfindustrias italiane, por i dikujt tjetër, sepse në procesverbalet që kam nuk thuhet që ka qenë përfaqësues i Konfindustrias.