Flash News

Ditari i Opozitës

Vokshi: Zgjedhjet për kryetarin e PD me standarde europiane, transparente dhe pjesëmarrje e lartë

Vokshi: Zgjedhjet për kryetarin e PD me standarde europiane, transparente

Edhe pse tre rivalët e Bashës kanë patur ankesa të shumta për parregullsi, për deputeten e zgjedhur nga procesi i 25 Prillit, Albana Vokshi, zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së treguan standarde demokratike europiane dhe garën të lirë.

Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi shprehet se në zgjedhjet e 13 Qershorit procesi ishte transparent dhe me një pjesëmarrje të lartë, edhe pse në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013 dhe vitit 2017, shifra e votuesve ka rënë ndjeshëm.

Postimi i plotë:

"Zgjedhjet për kreun e PD, një proces transparent, i qetë dhe me një pjesëmarrje të lartë.
Përsa i përket pretendimeve nga disa përfaqësues të kandidatëve apo kandidatët vetë, janë trajtuar në kohë reale nga anëtarët e Komisionit Zgjedhor.
Votimi një anëtar një votë tregon për standardet demokratike europiane dhe për garën e lirë në PD.
Rezultati i certifikuar pa asnje kontestim, ishte dëshmi e demokratëve për të vazhduar kauzat dhe betejat e Partisë Demokratike, me në krye Lulzim Bashën." shkruan Vokshi.

Zgjedhjet për kryetarin e PD-së u fituan nga Lulzim Basha me një diferencë të madhe votash, por nga tre kandidatët e tjerë ka patur ankesa të shumta për parregullsi, pasi një pjesë e anëtarëve të PD nuk u lejuan të votojnë. Po ashtu, ka patur ankesa dhe për përjashtim të vëzhguesve.

Të fundit