Flash News

Ditari i Opozitës

Vrasja e Learit/ Berisha iu kërkon qytetarëve të vijojnë protestat: Me urdhër të Çuçit dhe Ramës u fsheh e vërteta

Vrasja e Learit/ Berisha iu kërkon qytetarëve të vijojnë

Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë sërish në një deklaratë për mediat nga selia blu lidhur me vdekjen e Lear Kurtit. Ai shpreh bindjen se 32-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës policore. Berisha deklaroi se investigime të gazetarëve, pro edhe dëshmitë e njerëzve të afërm të viktimës tregojnë se mbi Kurtin është ushtruar dhunë.

“Gazetarët kanë bërë investigime, kanë sjellë fakte dhe prova shterruese për mbytjen e Lear Kurtit, të riut 32-vjeçar, nga banditë me uniformë të droguar. ‘O noke, më mbytën’, ishte klithma para se të jepte shpirt, sipas dëshmitarit të pranishëm në vendngjarje dhe mikut të Lear Kurtit.

Investigimet serioze të rrjeteve televizive hodhën poshtë si trillime të turpshme pretendimet e Edi Ramës dhe Çuçit të tij të familjes, hodhën poshtë trillimet, manipulimet dhe inskenimet e një krimineli me uniformë të pashoq në radhët e policisë shqiptare, Ardi Veliu, i cili për të mbrojtur padronët e tij si puthadorë, përdhosi dhe vrau për së dyti Lear Kurtin.

Investigimet e rrjeteve televizive faktuan se mbi Lear Kurtin një bandë prej katër policësh, sigurisht prej tyre të droguar, u vërsulën në rrugë me një egërsi çnjerëzore.

Këto filmime faktuan se Ardi Veliu, ky mashtrues i paskrupullt, gënjeu shqiptarët kur deklaroi se Lear Kurti po qëndronte para një objekti, për të krijuar përshtypjen se po përgatitej për një akt delikuent, në një kohë kur ai po ecte i vetmuar, nga kamerat, duke biseduar me mikun apo familjarët e tij”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit iu kërkoi qytetarëve që të vijojnë protestat, ndërsa nënvizoi se ngjarja u manipulua me urdhër të ministrit Bledi Çuçi dhe kryeministrit Edi Rama.

“Të gjitha këto u bënë me urdhër të Edi Ramës dhe Bledi Çuçit. Me urdhrin e tyre, viktima u deklarua i dyshimtë dhe delinkuent. Me urdhrin e tyre, Ardi Veliu deklaroi se policia e çoi të gjallë në spital.

Me urdhrin e tyre, u bë me urgjencë autopsia me urgjencë për të fshehtë të vërtetën. Me urdhrin e tyre u gjet qesja plastike me drogë në stomak. Me urdhrin e tyre u dha se vdiq nga overdoza.

Pra, vrasësi për herë të dytë i Lear Kurtit është Edi Rama, Çuçi dhe kriminel i tyre Ardi Veliu. Ndaj ftoj qytetarët që të vazhdojnë protestat më gjithë forcën e tyre, në mënyrë që këto krime të mos përsëriten”, shtoi Berisha.

Të fundit