Flash News

Ditari i Opozitës

Xhaferri kritikon Bankën e Shqipërisë: Shton kufizimet për çiftet e reja, blen narkoeuro duke shpërfillur FMN-në

Xhaferri kritikon Bankën e Shqipërisë: Shton kufizimet për
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri ka kritikuar Bankën e Shqipërisë për politikat e saj në lidhje me blerjen e banesës për çiftet e reja dhe për mungesën e kontrolleve ndaj parave të dyshimta në sektorin e ndërtimit.

Në një postim në Facebook, Xhaferri thekson se Banka e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë një projekt për të ndihmuar çiftet e reja të blejnë banesën e parë, duke ofruar kushte dhe interesa më të favorshme edhe për ata me paga të ulëta.

Deputeti shton se në Shqipëri, blerja e banesës së parë është bërë më e vështirë, pasi bankat kërkojnë që blerësi të ketë 30% të vlerës së pronës dhe financojnë vetëm 70% të saj, ndërkohë që nuk kontrollojnë burimet e parave që përdoren në ndërtim.

Postimi:

Banka e Maqedonisë së Veriut aplikon projektin e FRPD për subvencionimin e banesës së parë për çiftet e reja, ndërsa Banka e Shqipërisë shton kufizimet për çiftet e reja dhe blen narkoeuro duke shpërfillur thirrjet e FMN-së!
Në shtator të këtij viti, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut njoftoi ndërhyrjen në treg për të ndihmuar çiftet e reja të blejnë banesën e parë, në një kohë kur tregu imobiliar në këtë vend nuk është i infektuar nga paratë e narkotrafikut.
Pavarësisht kësaj, Banka e Maqedonisë së Veriut ka ndërhyrë në treg në mënyrë që të aplikojnë për kredi edhe ata që kanë paga të ulëta, duke detyruar bankat e nivelit të dytë të ofrojnë kushte dhe interesa më të mira.
Ajo që ne kishim në programin e Partisë Demokratike e tejkalonte këtë, pasi ne do ta bënim të mundur që shteti të subvenciononte 20% të çmimit të banesës për çiftet e reja.
Ndërkohë, përballë këtij realiteti, kemi Bankën e Shqipërisë, e cila amniston pastrimin e parave në ndërtim, pavarësisht thirrjeve të FMN-së që të mos ndërhyjë më në treg për të blerë narkoeuro dhe për të dhënë imazhin e një stabiliteti ekonomik.
Banka e Shqipërisë, nga ana tjetër, nuk kërkon asnjë garanci nga bankat që pastrojnë paratë e narkotrafikut përmes ndërtimit, por ka shtuar kufizimet për blerjen e banesës së parë duke vendosur si kusht që blerësi të ketë 30% të vlerës, ndërsa financon vetëm 70%.
Nga ana tjetër, sa herë Rama bën apel që të huajt të blejnë prona, Banka e Shqipërisë del me raporte për blerjen e pronave nga të huajt, duke mos specifikuar nëse janë në Tiranë apo në bregdet, pasi kjo i shërben agjendës së spekulantëve.
Koha është që Banka e Shqipërisë të ndryshojë qasje, pasi në të kundërt do të përfundojë si kurban në SPAK për pastrimin e parave, një projekt që ka arkitekt Edi Ramën.

Të fundit