Flash News

Ditari i Opozitës

Zbardhet vendimi i GJK për Berishën: Zgjatja e “arrestit shtëpiak”, antikushtetuese

Zbardhet vendimi i GJK për Berishën: Zgjatja e “arrestit

Zbardhet vendimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha.

Sipas vendimit, zgjatja e masës së sigurisë ishte në kundërshtim me Kushtetutën.

Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se, edhe pse kishin kaluar shtatë muaj nga vendosja e arrestit në shtëpi, gjykatat e zakonshme nuk kishin dhënë argumente konkrete për ekzistencën e rrezikut të ikjes. Po ashtu, sipas Kushtetueses, nuk ishte paraqitur asnjë rrethanë e re që të justifikonte ashpërsimin e masës së sigurisë.

Fillimisht, rreziku për cenimin e provave ishte konsideruar i përmbushur me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”. Megjithatë, më pas u vendos një masë më e rëndë, ajo e “arrestit në shtëpi”, pa u evidentuar ndryshime në sjelljen e kërkuesit apo rrethana të reja që ta justifikonin këtë vendim.

Në vendimin e saj, Gjykata vëren se mungesa e arsyetimit për rrezikun e ikjes dhe fakti që nevoja për sigurimin e provave ishte konsideruar më parë e përmbushur me një masë më të lehtë, e bëjnë të pajustifikuar rëndimin e masës së sigurisë. Sipas saj, kjo situatë nuk garantonte një ekuilibër të drejtë mes nevojës për sigurimin e procesit penal dhe të drejtës për liri personale.

Kushtetuesja thekson se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe të arsyetuara në çdo fazë të procedimit penal. Për rrjedhojë, ajo vlerësoi se periudha e qëndrimit të Berishës nën “arrest shtëpie” nuk ishte në përputhje me qëllimin e vendosjes së masës dhe nuk lidhej më me mbarëvajtjen e procesit penal, por vetëm me mosrespektimin e një urdhërimi të mëparshëm gjyqësor.

 

 

Të fundit