Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet e 6 marsit/ Aleatët mes Berishës dhe Bashës, Tabaku: Do të krijojmë aleancë të jashtëzakonshme për kandidatët më të mirë

Zgjedhjet e 6 marsit/ Aleatët mes Berishës dhe Bashës, Tabaku: Do

Nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku ka folur për zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilat do të mbahen më 6 mars. E pyetur nga gazetarët nëse PD i ka gati emrat, ajo tha në një konferencë për shtyp se Partia Demokratike do të prezantohet me kandidatët që kanë integritetin më të lartë.

Ajo vuri theksin tek aleanca me partitë e vogla opozitare. Përveç PD-së zyrtare ftesë për bashkëpunim aleatëve të djathtë iu ka bërë dhe ish-lideri Sali Berisha.

Këtë e bëri me dije kreu i PAA-së, Agron Duka, i cili dha sinjale bashkëpunimi me Berishën. Mbetet për t’u parë se si do të rreshtohen aleatët dhe nëse do të ketë një ndarje të tyre mes Bashës dhe Berishës.

“Sa i përket pyetjes së zgjedhjeve, ju falënderoj për interesin, por ju e dini se PD ka kaluar një proces shumë të gjerë konsultimi para zgjedhjeve të 25 prillit për përzgjedhjen e kandidatëve, që është bërë edhe për ata në nivel lokal. Ata i janë nënshtruar një procesi vettingu, procedure.

PD do të prezantohet me kandidatët më të mirë të mundshëm në këto zgjedhje, me kandidatët me integritet më të lartë. PD është e angazhuar që në këtë proces të krijojë një aleancë të jashtëzakonshme dhe të gjerë me të gjithë partitë aleate të koalicionit opozitar së pari dhe së dyti një aleancë me qytetarët”, tha Tabaku.

Numri dy i Partisë Demokratike foli dhe për inceneratorët, ku kërkoi hetim me argumentin se përveç Lefter Kokës, PD ka kallëzuar edhe tre ministra të tjerë të qeverisë Rama.

“Është e pakonceptueshme se si një komision që ngrihet për të hetuar koncesionin thotë se nuk të kthej përgjigje. Ne kemi shumë informacione të disponueshme. Unë do të ndjek atë rrugë, që do të kishte ndjekur komisioni. Me gjithë mbrojtjen politike që i dhanë aferës së inceneratorëve shumica, unë do të ndjek po të njëjtën rrugë, raportin do ta çoj në SPAK.

Për të njëjtën akuzë që Lefter Koka është sot në burg, duhet të ishin edhe tre ministra të tjerë, Ahmetaj, Klosi e Gjiknuri, që të paktën duhet të pyeten dhe hetohen nga SPAK, si dhe tre kryetarë bashkie. Këto janë personat që ne kemi kallëzuar në SPAK dhe që duhen hetuar, se cilin do të arrestojë SPAK, këtë nuk di ta them”, u shpreh ajo.

 

Të fundit