Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet e 11 Majit, Tabaku: Një mundësi e humbur për Shqipërinë dhe një test i dështuar për demokracinë

Zgjedhjet e 11 Majit, Tabaku: Një mundësi e humbur për

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane në Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit si një dështim për demokracinë dhe një mundësi të humbur për Shqipërinë, në një moment kyç për integrimin europian.

Gjatë mbledhjes së parë të Komisionit pas zgjedhjeve, Tabaku u shpreh se procesi zgjedhor, i pari që zhvillohet pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, duhej të ishte një provë e sjelljes së re politike dhe e rritjes së standardeve demokratike. Por sipas saj, ndodhi e kundërta.

“Fatkeqësisht, zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR evidentoi qartë presionin mbi administratën publike, përdorimin e burimeve shtetërore dhe lidhjen e ngushtë mes shtetit dhe partisë në pushtet”, deklaroi Tabaku.

Deputetja demokrate theksoi se vendi nuk shënoi përparim, por përkundrazi, bëri hapa pas drejt konsolidimit të institucioneve dhe demokracisë funksionale.

“Nuk ka rëndësi sa kapituj apo grupkapituj hapen në negociata. Rëndësi ka përmirësimi i standardeve dhe respektimi i demokracisë në praktikë”, shtoi Tabaku, duke iu referuar raportit të Komisionit Europian mbi Cluster 1, që përfshin shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore.

Sipas saj, problematikat e theksuara në zgjedhje, së bashku me mosfunksionimin e duhur të institucioneve demokratike, mund të shndërrohen në pengesë serioze për rrugëtimin europian të vendit.

Në fund, Tabaku theksoi nevojën që Kuvendi të reflektojë mbi raportin e OSBE/ODIHR dhe të mbajë përgjegjësi institucionale. Ajo bëri thirrje për angazhim serioz në rikthimin e standardeve demokratike, sidomos në një moment diplomatik të rëndësishëm për Shqipërinë në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Të fundit