Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet lokale, Meta evidenton shkeljet: Miliona euro u shpërndanë si bonuse, policia u shkri me krimin

Zgjedhjet lokale, Meta evidenton shkeljet: Miliona euro u shpërndanë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka evidentuar një sërë shkeljesh sipas tij në procesin zgjedhor të 14 Majit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë, ai ka renditur si shkelje shpërndarjen e shpërblimeve, shit-blerjen e votave dhe presionin e bërë nga administrata ndaj qytetarëve, si arsyet për një rezultat të tillë për opozitën.

“Një armatë e tërë ministrash, drejtorë, sulmuan qendrat e votimit edhe ditën e votimit duke bërë presion hapur. Dhjetëra miliona euro u shpërndanë si bonuse në mënyrë të paligjshme. Mijëra punësime shtesë u bënë enkas për qëllime elektorale. Dihet se sa milion lekë u ndanë për gjoja ndihma ekonomike. Dihet sa pensione u dhanë edhe pa mbushur dokumentet.

Dhjetëra miliona euro u hodhën për asfalt elektoral edhe në mes të Tiranës, për të blerë mbështetjen e vipave për partinë në pushtet dhe kandidatët e saj.

Mijëra pronarë biznesesh u gjobitën rëndë nga partia në pushtet. Një rol shumë të rëndësishëm luajtën burgjet për të devijuar rezultatet e votimit në minutat e fundit kur rasti më ekzemplar është kutia e fundit e Rrogozhinës ku u përmbys vullneti i qytetarëve të lirë, nga qytetarë e marrë peng në burgje. 

Procesi zgjedhor i 14 majit, ishte një fitore e krimit ndaj lirisë të së zgjedhurit, shkrirje e policisë me krimin kundër vullnetit të lirë të qytetarëve. Grupet kriminale dolën hapur krah partisë pushtet e policia nuk ndërhynte e nuk [paraqitej askund ku denoncoheshin të tilla veprime kriminale”, tha Meta.

 

Të fundit