Flash News

Ditari i Opozitës

Zgjedhjet në PD/ Sot në orën 18.00 mblidhet Kryesia, pritet miratimi i kandidaturave

Zgjedhjet në PD/ Sot në orën 18.00 mblidhet Kryesia, pritet
Foto ilustruese

Ditën e sotme në orën 18:00 do të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike për të miratuar kandidaturat për kryetar partie dhe rregullat për zgjedhjet brenda partisë. Këto të fundit do të zhvillohen me 13 qershor. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka ftuar anëtarët e Kryesisë që të jenë të pranishëm në mbledhje.

"Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Mbledhja e Kryesisë të dielën, më date 23 Maj, do të zhvillohet në orën 18:00. Rendi i ditës: Miratimi i kandidaturave për Kryetar.

Miratimi i rregullave të propozuara nga Komisioni Zgjedhor për procesin zgjedhor. Lutem të sigurohet pjesëmarrja në mbledhje! Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi", thuhet në njoftimin e PD.

Kandidatët në garë për të marrë drejtimin e PD janë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Agron Shehaj, Ibsen Elezi dhe Edith Harxhi. Dy të fundit janë kandidatura të propozuara nga grupimi "Për PD", i cili  kërkoi shtyrjen e zgjedhjeve brenda partisë, në mënyrë që të kenë më shumë kohë në dispozicion për të bindur anëtarësinë.

Zgjedhjet e demokratëve ishin parashikuar të mbaheshin në muajin Korrik, ndërkohë që afrimi i tyre u propozua nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike Gazment Bardhi, me pretendimin për të mos cënuar sezonin turistik.

Pasi dorëzoi kandidaturën e tij, Kadilli tha se kjo garë është asimetrike, duke theksuar se moralisht ndihet shumë më tepër superior para kryedemokratit. Ai shtoi se nuk i ka tradhtuar kurrë demokratët dhe as nuk do e bëjë.

Ndërkohë Harxhi deklaroi se gara duhet të jetë e hapur dhe transparente, ndërsa nënvizoi se ofron reformim të thellë të partisë, mbi idealet e ‘90.

Shehaj, i cili e shpalli kandidaturën e tij një ditë më parë, vlerëson se duhet vizion dhe drejtim i ri. Nga ana tjetër, Elezi ka deklaruar se pa dorëheqjen e Bashës, nuk ka garë të barabartë.

 

 

Të fundit