Flash News

Ditari i Opozitës

Zhdukja e 130 mijë fletëve të votimit, Shehu: Papërgjegjshmëri e rëndë e KQZ-së, procesi zgjedhor është hedhur në erë

Zhdukja e 130 mijë fletëve të votimit, Shehu:

Deputeti demokrat Tritan Shehu ka reaguar ashpër ndaj zhdukjes së 130 mijë fletëve të votimit dhe qëndrimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këtë ngjarje. I ftuar në edicionin e mesditës në Syri TV, nën moderimin e gazetarit Bled Marku, Shehu e cilësoi këtë akt si një goditje të rëndë ndaj integritetit të procesit zgjedhor të 11 majit.

Sipas tij, fletët e votimit nuk janë thjesht letra, por karta me vlerë ligjore, politike dhe demokratike, të cilat duhet të trajtohen me përgjegjësi maksimale nga institucionet shtetërore.

“KQZ u tregua totalisht e papërgjegjshme. Nuk mund të thuhet se fletët e votimit ‘u harruan’ apo ‘nuk u shënuan’. 130 mijë fletë janë një numër i jashtëzakonshëm, që nuk mund të fshihet me një justifikim teknik,” – deklaroi Shehu.
Deputeti akuzoi se mungesa e këtyre fletëve ka sjellë deformimin e rezultatit zgjedhor, duke prodhuar një parlament të deformuar, një qeveri të deformuar dhe një përfaqësim të rremë të qytetarëve shqiptarë.

“Është një shkatërrim i thellë i procesit. Ato fletë janë përdorur për të falsifikuar votën e diasporës, janë hedhur në kazane apo janë përdorur në manipulime si ‘treni bullgar’. Çdo skenar është i mundshëm kur nuk ka transparencë,” – shtoi Shehu.
Ai theksoi se përgjegjësia duhet të jetë edhe penale, ndërsa shprehu zhgënjimin ndaj SPAK, për të cilin tha se ka qëndruar pasiv, duke mos hapur asnjë hetim zyrtar për këtë çështje tepër serioze.

Shehu bëri të ditur se opozita ka dorëzuar në institucionet përkatëse prova konkrete, përfshirë foto, dokumente dhe dëshmi që, sipas tij, faktojnë komprometimin e thellë të procesit.

“Kemi një proces tërësisht të kompromentuar që nuk përfaqëson vullnetin qytetar. Raporti paraprak i OSBE-ODIHR është shumë shqetësues dhe kjo zhdukje e fletëve e përforcon edhe më shumë krizën e legjitimitetit,” – përfundoi ai.

Të fundit