Flash News

OP-ED

Ditari i Rezistencës / I vetmi vend i sigurt në Tiranë

Ditari i Rezistencës / I vetmi vend i sigurt në Tiranë

23 shtator, 2019

nga Koloreto Cukali 

Tërmeti ra gjatë turnit tim në sheshin e Teatrit. Toka uturiu, uji i pishinës u tund si një legen në duart e një fëmije, por Teatri nuk ndjeu asgjë.

Duhej një tërmet për të kuptuar që në këtë qytet nuk jemi fare të sigurt. Edhe po arrite të dalësh nga ndërtesa, falë kullave të panumërueshme, nuk ka mbetur asnjë vend ku të mund të ruash një largësi të sigurt nga shembja (shpresojmë jo) e ndërtesave. Ata njerëz që e kaluan natën në autostradë janë dëshmia më e pastër e genocidit urban që kanë ndërtuar Timonieri dhe Velieri pas tij.

Pashë njerëz që dolën në sheshin Skënderbej për t'u mbrojtur. Nuk e dinë ai nuk është më shesh, por një tarracë jo fort e besueshme mbi një mega-parking të ndërtuar pa leje.

Në këto kushte, vendi i vetëm, ende, ku mund të jesh i sigurt në rast tërmetesh është sheshi i Teatrit. Jo vetëm se Teatri nuk do t'ia dijë për këto tërmetet që po dridhin njerëzit në kullat e demokracisë; as se aty nuk ka (akoma) pallate të larta që të të zënë përposhtë; por, sepse aty mbrëmë ishte i vetmi vend ku nuk kishte frikë nga tërmetet e paralajmërimet apokaliptike.

Paniku i mbrëmshëm ishte kulmimi i një histerie mediatike e qeveritare në një shoqëri të show-bizit. Ministra që tentuan ta përdorin tërmetin për PR, institucione të posaçme që nuk u ndihej zëri e deri te mbyllja e shkollave nga një Ministri Arsimi që nuk informohet më shumë se sa një portal që jep orarin e tërmeteve apo një televizion që paralajmëron përmbytje. E gjitha sepse si Ministrat, Kryeministri, televizionet kombëtare e portalet mendojnë që informacioni duhet të jetë si show e duhet të shokojë.

Mbrëmë inxhinierë, zyrtarë, mësuese shkollash, studentë e tregtarë, dolën rrugëve të kapur nga paniku. Të vetmit që e kishin të qartë si funksionojnë tërmetet e që nuk mund të parashikohen me orë e datë, ishin njerëzit e mbledhur në sheshin e Teatrit. Ndoshta sepse ky është nga të paktat vende të pakontaminuara nga propaganda, nga mediat e papërgjegjëshme dhe nga qeverisja akoma më e papërgjegjëshme, por dhe sepse aty është agora-ja e vetme e Shqipërisë. Sheshi i njerëzve të lirë e i fjalës së lirë.

NO PASARÁN!

Të fundit