Flash News

DITARI POLITIK

Alarmi i SHBA për sulme, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, qeveria e merr shtruar: S'ka rrezik

Alarmi i SHBA për sulme, opozita kërkon mbledhjen e Këshillit

Ambasada e SHBA-ve, një ditë më parë, kërkoi vigjilencë të shtuar për shkak të rrezikut që i kanoset Shqipërisë nga Irani.

Opozita njëzëri ka kërkuar që të thërritet menjëherë mbledhja e Këshillit të Sigurisë, për të shqyrtuar situatën emergjente.

“E konsideroj seriozë paralajmërimin e djeshëm të ambasadës amerikane. Nuk mund të thotë qeveria jonë nuk jemi informuar”, tha deputeti Tritan Shehu.

Edhe Fatmir Mediu përsëriti të njëjtën thirrje. “Deklarata e djeshme e ambasadës nuk është vetëm një thirrje për qytetarët amerikan, por edhe për shqiptarët. Është idioteske që të jemi anëtar i NATO-s jemi të garantuar për çdo gjë”, tha Mediu.

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi shkoi në të njëjtën linjë me qeverinë duke injoruar alarmin për një rrezik të mundshëm nga Irani.

“Kjo kërkesë ka shkuar për të gjitha ambasadat e SHBA, është për qytetarët amerikanë, në të gjithë botën. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria”, tha Nufi për mediat jashtë Parlamentit.

Një ditë më parë, ambasada amerikane në Tiranë ngriti alaramin se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë disa objektiva në Shqipëri. Sipas mesazhit të ndarë në rrjetet sociale, ata mund të synojnë vende të zakonshme si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. 

“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, thuhej në mesazh.

Të fundit