Flash News

DITARI POLITIK

Ballës 's’i preket asnjë fije floku'/ Përjashtohet Noka dhe Hoti, Sekretariati i Etikës rrëzon kërkesën e PD-së

Ballës 's’i preket asnjë fije floku'/

Sekretariati i Etikës së Kuvendit ka përjashtuar me 20 ditë deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas përplasjeve dhe tensioneve të ashpra në Kuvend seancën e të enjtes.

Po ashtu, edhe deputetja demokrate, Elda Hoti është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Albana Vokshi nuk ka marrë asnjë masë. Partia Socialiste kishte kërkuar përjashtimin e të tre deputeteve të PD-së.

Ndërkohë Sekretariati i Etikës rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kishte kërkuar përjashtimin me 60 ditë të Taulant Ballës.

PD tha se Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetes Elda Hoti. Në kërkesën për përjashtim thuhet se situata ka sjellë reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila i ka kërkuar drejtuesit të seancës, Niko Peleshi, marrjen e masave disiplinore.

“Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme në drejtim të Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetes Elda Hoti, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike. Kjo gjuhë fyese dhe kërcënuese dëmton rëndë reputacionin dhe besimin e qytetarëve tek Kuvendi dhe deputetët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të njjë gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në shkresën depozituar Sekretariatit të Etikës.

Po ashtu, në kërkesë përmendet edhe një tjetër episod gjatë së njëjtës seancë, ku Balla akuzohet se ka përdorur gjuhë jo parlamentare ndaj deputetit Fatmir Mediu.

“Po gjatë të njëjtës seancë deputeti Taulant Balla, ka përdorur gjuhë jo parlamentare dhe që cënon dinjitetin ndaj deputetit Fatmir Mediu. Ai arriti deri aty sa në përfundim të fjalës ju drejtua me fjalët “ik pirdhu”, në seancë plenare”, thuhet në shkresë.

Të fundit