Flash News

DITARI POLITIK

Beleri rikthehet nesër në Tiranë si eurodeputet për të marrë pjesë në takimin e stabilizim-asociimit

Beleri rikthehet nesër në Tiranë si eurodeputet për të

Ditën e nesërme, Tirana do të jetë pritëse e takimit të 18-të të Komisionit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit, ku do të mblidhen 10 deputetë të Parlamentit Europian për një diskutim të zgjeruar me Kuvendin e Shqipërisë.

Ky delegacion drejtohet nga eurodeputeti italian, Marco Tarquinio, i cili do të shoqërohet nga dy përfaqësues me origjinë shqiptare: Adnan Dibrani nga Suedia dhe Fredi Beleri, eurodeputet grek që rikthehet në Shqipëri pas lirimit nga paraburgimi.

Takimi do të nisë me një prezantim informues nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, për çështjet aktuale të procesit të integrimit. Pas kësaj, delegacioni i Parlamentit Europian do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, në një moment që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik.

Ky takim përfaqëson një përballje me Kryeministrin që arrestoi Belerin vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, një periudhë gjatë së cilës Beleri fitoi zgjedhjet për kryebashkiak të Himarës ndërsa ndodhej në burg, ku qëndroi për 481 ditë.

Pasi të përmbyllin takimin me kreun e qeverisë, eurodeputetët do të diskutojnë me përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend. Për integrimin në BE, pritet një bashkëpunim i gjerë ndërmjet deputetëve demokratë dhe socialistëve, të cilët, edhe pse në një periudhë të tensionuar, do të marrin pjesë në tryezën e përbashkët.

Pjesë e delegacionit të PD-së do të jenë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi, të cilët do të marrin pjesë sipas udhëzimeve të kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Pas përfundimit të kësaj tryeze për integrimin, pritet që këta deputetë t’i bashkohen qytetarëve në protestën e opozitës, e cila do të nisë në orën 17:00 në segmentin rrugor "Casa Italia – Sheshi Shqiponja."

 

Të fundit