Flash News

DITARI POLITIK

Eurodeputeti spanjoll: Rama është i vetëm dhe i braktisur në Europë, zgjedhjet në Shqipëri nën hijen e dyshimeve

Eurodeputeti spanjoll: Rama është i vetëm dhe i braktisur në

Eurodeputeti spanjoll dhe Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Demokratike të Qendrës (IDC-CDI), Antonio Lopez Istruiz, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një “kryeministër të braktisur në Europë”, ndërsa zgjedhjet e fundit në Shqipëri i ka konsideruar me “shumë pikëpyetje”.

Duke folur nga Abixhani gjatë një takimi të nivelit të lartë të IDC-CDI, Istruiz ngriti alarmin për gjendjen e demokracisë dhe theksoi nevojën për të reaguar kundër regjimeve që, sipas tij, po dëmtojnë vlerat e lirisë dhe përfaqësimit.

“Kur demokracia është në rrezik, heshtja nuk është një mundësi. Duhet të veprojmë. Duhet të shprehim shqetësimin tonë për zgjedhjet e fundit në Shqipëri,” u shpreh ai.

Lopez Istruiz kujtoi vizitën e tij në Shqipëri, disa javë para votimeve, së bashku me një delegacion të IDC-së, ku sipas tij kishte parë një mbështetje të qartë për Partinë Demokratike dhe liderin historik të saj, Sali Berisha.

“Rezultati i shpallur si fitore nga kandidati socialist Edi Rama është shoqëruar me shumë pikëpyetje. Ai është i njëjti që ulet si një kloun përpara Giorgia Melonit. Ky është kryeministri i Shqipërisë sot. Ky është turpi i vendit,” theksoi ai me tone të forta kritike.

Sipas eurodeputetit spanjoll, Edi Rama është tashmë një lider i izoluar në arenën ndërkombëtare dhe Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor.

“Kemi shumë shembuj në Europë, Afrikë dhe Azi ku vlerat demokratike janë në rrezik. Ajo që na bashkon është kauza jonë e përbashkët: mbrojtja e demokracisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor,” tha ai.

Në përmbyllje, Istruiz theksoi se Internacionalja Demokratike e Qendrës mbetet organizata më e madhe dhe më e respektuar e qendrës së djathtë në botë dhe ka përgjegjësinë për të udhëhequr betejën kundër autoritarizmit në të gjitha kontinentet.

Të fundit