Flash News

DITARI POLITIK

Institucionet e drejtësisë raportojnë sot në Kuvend, çfarë pritet të ndodhë

Institucionet e drejtësisë raportojnë sot në Kuvend,

Kuvendi do të mblidhet mëngjesin e kësaj të hëne në seancë plenare.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00, ndërsa në rend të ditës janë dy projektvendime, ai për “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore” dhe ai për “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë për Reformën Administrativo–Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu në rend të ditës janë edhe raportimet vjetore të institucioneve të drejtësisë. 

Kështu, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të prezantojë raportin mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024.

Më pas kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani do të prezantojë raportin mbi veprimtarinë e SPAK për vitin 2024.

Po ashtu, do të prezantohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2024 nga ILD, Artur Metani.

Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi do të prezantojë më pas raportin mbi gjendjen e Sistemit Gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2024.

Gjithashtu, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani do të prezantojë raportin e veprimtarisë vjetore të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2024.

Koha për debat pas çdo raportimi do të jetë 150 minuta, e shpërndarë në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve parlamentare. Për raportimet e këtyre institucioneve pritet të miratohen edhe rezolutat përkatëse nga Kuvendi.

Sakaq kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi që të shmangë provokimet ndaj opozitës dhe të zbatojë Rregulloren.

Të fundit