Flash News

DITARI POLITIK

“Jemi live”, shpërthen Komisioni i Ligjeve, përplasje mes Korreshit dhe Zegjinesë, Manja i ‘tërheq veshin’ Çaushit

“Jemi live”, shpërthen Komisioni i Ligjeve, përplasje mes

Debate të forta dhe tension kanë shoqëruar mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, duke kthyer diskutimin në një përplasje të hapur politike.

Gjithçka nisi pas fjalës së deputetit Saimir Korreshi, i cili ironizoi nismën ligjore, duke e cilësuar procesin si “qesharak” dhe duke ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e ligjit që po diskutohej. Reagimet e tij ndezën menjëherë atmosferën në sallë.

Gjatë fjalës së Korreshit, Zegjine Çaushi ndërhyri disa herë pa mikrofon, duke shkaktuar reagimin e kryetarit të komisionit, Ulsi Manja, i cili u detyrua t’i tërhiqte vëmendjen në mënyrë të përsëritur.

Manja theksoi se seanca ishte publike dhe po transmetohej drejtpërdrejt, duke kërkuar disiplinë dhe respektim të rregullores, ndërsa i la hapësirë Korreshit të vijonte fjalën.

Nga ana e tij, Korreshi vijoi, duke deklaruar se ligji po krijon “një luftë spiunësh” dhe se po hap rrugën për abuzime, ndërsa kritikoi qeverinë për mënyrën se si po e menaxhon procesin ligjvënës.

Ndërhyrjet e vazhdueshme dhe replikat e ndërsjella e detyruan kryetarin e komisionit të kërkonte disa herë qetësi, duke i bërë thirrje anëtarëve të mos ndërhyjnë gjatë fjalës së deputetëve dhe të mbajnë një debat serioz në një çështje që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës.

PJESA NGA DISKUTIMI

Saimir Korreshi: Ore mos na keni vënë ndonjë kamera të fshehtë dhe kjo seancë mos është ndonjë kamera e fshehtë për vit të ri. Po bëheni qesharakë me këtë ligj.

Ulsi Manja: Seanca është publike, jemi live, në dritë të Dillit, po të duash ti ngre edhe grilat.

Flet anëtarja e komisionit, Zegjine Çaushi, me mikrofonin fikur…

Ulsi Manja: Zonja Çaushi të lutëm, zoti Korreshi vijo me fjalën tuaj.

Saimir Korreshi: Unë kam hall testin e kartelës e kanë kaluar, që na sjellin këto lloj ligjesh. E ka kaluar testin neuro-psikiatrik, se të vish me këto ligje këtu duhet të kalosh testin neuro-psikiatrik

Zegjine Çaushi: Kush duhet ta kalojë këtë?

Ulsi Manja: Zonja Çaushi, të lutem. Të bëhemi pak seriozë se Shqipëria ka në fuqi ligjin numër 60/2016.

Saimir Korreshi: Atje nuk erdhi ministri, këtu vjen ministri. Hall i madh ju ka rënë se si duhet ta plotësoni vendin se do të ketë shumë kërkesa spiunësh. Ja spiunlliqet. Me këtë ligj nuk i bëjmë nder Shqipërisë, vetes bëni çfarë të doni. Ju po krijoni një lloj lufte spiunash.

Ulsi Manja: A ka mundësi të mos ndërhyni kur flasin deputetët, çfarë të dojë të thotë.

Të fundit