Flash News

DITARI POLITIK

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, PD interpelancë me Lamallarin për emërimet në polici, në axhendë Tabaku-Rama

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, PD interpelancë me Lamallarin

Sot në orën 10:00, Kuvendi do të zhvillojë seancën plenare, ku në qendër të diskutimeve pritet të jetë një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, e kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Fokusi i interpelancës do të jetë mbi emërimet në radhët e Policisë së Shtetit, si dhe situata e kriminalitetit brenda saj. Marrja e detyrës së kryepolicit nga Skënder Hita pritet të jetë një nga çështjet kryesore që do të dominojë debatin mes deputetëve.

Gjatë seancës, ministri Lamallari do t’u përgjigjet edhe pyetjeve të deputetëve Arjan Ndoja dhe Erald Kapri.

Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu një tjetër interpelancë, e kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku me kryeministrin Edi Rama, lidhur me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Mbetet për t’u parë nëse kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm në sallë apo do të delegojë përfaqësimin.

Ndërkohë, Kuvendi pritet të miratojë edhe anëtarët e Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, ku propozimet e Partisë Socialiste janë Denar Biba dhe Eldian Balla. Gjithashtu, me propozim të Këshillit të Ministrave, pritet të zgjidhet Diana Dervishi si anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.

Seanca pritet të shoqërohet me debate të forta politike, veçanërisht mbi çështjet e rendit dhe sigurisë në vend.

Të fundit