Flash News

DITARI POLITIK

Kuvendi sot në seancë plenare: Nga mocioni me debat për 11 Majin te zgjedhja e Avokatit të Popullit

Kuvendi sot në seancë plenare: Nga mocioni me debat për 11 Majin

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve priten të jenë dy interpelanca dhe projektligjet kryesore që lidhen me buxhetin e vitit 2026 dhe paketën fiskale.

Seanca nis me interpelancën e kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Diskutimi pritet të fokusohet në projektin për restaurimin dhe rikualifikimin urban të zonës TID në Durrës, një investim që ka ngjallur debate për transparencën dhe mënyrën e zbatimit.

Më pas, deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, do të zhvillojë një interpelancë me Kryeministrin Edi Rama, ku në qendër do të jetë çështja e prishjeve të ndërtimeve pa vendime të formës së prerë dhe pa respektimin e procedurave ligjore, një praktikë që opozita e ka denoncuar prej kohësh.

Në pjesën e dytë të seancës, deputetët do t’i kthehen diskutimit dhe votimit të disa projektligjeve të rëndësishme që lidhen me paketën fiskale si dhe me projektbuxhetin e vitit 2026, i cili pritet të përcaktojë prioritetet financiare të qeverisë për vitin e ardhshëm.

Po ashtu, sot në rend dite është edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, një proces që kërkon konsensus të gjerë dhe që prej muajsh ka mbetur i bllokuar.

Seanca pritet të jetë e gjatë dhe me debat të fortë, për shkak të temave të ndjeshme që prekin qeverisjen, financat publike dhe të drejtat e qytetarëve.

Të fundit