Flash News

DITARI POLITIK

Seanca e gjashtë bie sërish/ Kalaja akuzon Veliajn për shmangie të procesit gjyqësor: Po i bën bisht drejtësisë

Seanca e gjashtë bie sërish/ Kalaja akuzon Veliajn për shmangie

Për të gjashtën herë radhazi ka dështuar seanca gjyqësore në procesin e ngritur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndaj Aulon Kalasë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kalaja, i cili thekson se as pala paditëse dhe as përfaqësuesi ligjor i saj nuk u paraqitën në seancën e parashikuar.

Sipas Kalasë, gjykata kishte planifikuar që më 13 janar, në orën 09:30, të niste shqyrtimi i çështjes me administrimin e provave, përfshirë edhe paraqitjen e materialeve teknike përmes një eksperti IT. Megjithatë, seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kryebashkiakut dhe avokatit të tij.

Kalaja e cilëson këtë sjellje si një përpjekje për të zvarritur procesin, duke theksuar se është paradoksale që iniciatori i padisë të mos paraqitet përballë gjykatës.

Ai shpreh bindjen se ndaj tij po ndiqet një strategji presioni përmes proceseve të njëpasnjëshme gjyqësore, me qëllim mbajtjen e tij të angazhuar për një kohë të gjatë në dyert e drejtësisë.

Gjykata ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 26 janar, në orën 13:30. Po ashtu, është bërë e ditur se në rast se pala paditëse nuk paraqitet sërish, do të caktohet një avokate kryesisht për përfaqësimin e saj.

Reagimi i plotë:

Dështon seanca e gjashtë e gjyqit që Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka nisur ndaj meje.

Megjithëse data 13 janar ishte caktuar nga gjykata si dita ku ne do të fillonim gjyqin në orën 09:30 dhe do e bitisnim, kur të mbaronin të gjitha provat, së bashku me një ekspert IT, që do kujdesej për transmetimin e provave ne sallën e gjyqit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm që nuk u paraqit, por dha urdhër që të mos vijë në senacë as avokati i tij mbrojtës.

E paimagjinueshme se si personi që ka hapur gjyq ndaj meje, nuk vjen të përballet, por i bishtnon drejtësisë!

Ku është morali këtu?! Lëre moralin, po ligji?!

U shpreha para gjykatës që plani ndaj meje është që të qëndroj peng nëpër gjyqe të paktën për dy vite, sepse strategjia është e atillë. Edhe nëse do mbyllet ky gjyq, do hapet një tjetër nga Veliaj, ndaj meje. Unë e di ku e ka hallin Kryetari i Tiranës që është në burg, por unë nuk ia zgjidh dot.

Gjykata caktoi seancën e radhës me 26 janar, ora 13:30 dhe nëse pala paditëse nuk paraqitet, është caktuar një avokate kryesisht qe të mbrojë Veliajn, ndaj meje.

Megjithëse kjo është një padi strategjike për të më mbajtur në presion, unë jam i perkushtuar që t’a trajtoj me seriozitet.

Të fundit