Flash News

DITARI POLITIK

Shqipëria financoi 200 mijë € për projektin e Mogherinit , çfarë fshihet pas takimit me Kumbaron?

Shqipëria financoi 200 mijë € për projektin e Mogherinit ,

Afera e Kolegjit të Evropës dhe Akademisë Politike, e cila po hetohet nga Prokuroria e Brukselit, i kishte shrirë tentakulat dhe në  Shqipëri.

Shqipëria rezulton kontribuuese financiare në institucionin që po hetohet. Të dhënat e publikuara nga OpenData Albania tregojnë se Bashkia Tiranë dhe Ministria e Arsimit kanë kryer në korrik dhe dhjetor 2024 dy pagesa të majme me vlerë rreth 200 mijë euro, të regjistruara zyrtarisht si transferta për bursa për degën shqiptare të Kolegjit të Evropës.

Kjo e vendos vendin tonë drejtpërdrejt në hartën e financimeve ndaj institucionit që tani është nën hetim ndërkombëtar.

Ndërkohë, Federica Mogherini figura qendrore në këtë skandal ka qenë në Shqipëri vetëm pak javë para ndalimit në Belgjikë.

Vizita e saj në Tiranë më 20 nëntor 2024, ku u takua me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ngre tani pikëpyetje të reja mbi natyrën e bashkëpunimit institucional dhe transparencën e përdorimit të fondeve publike shqiptare.

“Në Ministrinë e Arsimit me Rektoren e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, në nisje të vitit të dytë akademik të këtij institucioni të jashtëzakonshëm tashmë edhe në Tiranë

Këtë vit, 40 studentë shqiptarë dhe europianë po ndjekin studimet në Kolegjin e Europës në kryeqytetin tonë, edhe si një dëshmi e qartë e rolit që Shqipëria po merr në hartën europiane të arsimit të lartë

Shumë e lumtur për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Federica Mogherinin, i cili këtë herë po merr jetë në fushën e arsimit të lartë dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët tanë Po ecim përpara me projektin e Kampusit të Kolegjit të Europës”, shkruante ndër të tjerash Kumbaro.

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, është liruar mbrëmë rreth orës 01:00, vetëm pak orë pasi u ndalua nga autoritetet belge në kuadër të një hetimi për mashtrim dhe korrupsion në institucionet europiane.

Së bashku me të, Policia Federale Gjyqësore Belge ka lënë të lirë edhe dy zyrtarët e tjerë të ndaluar, Stefano Sannino dhe Cesare Zegretti. Të tre ishin marrë në pyetje pas kontrolleve të kryera në zyrat e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe në ambientet e Kolegjit të Evropës.

Çfarë po hetohet?

Hetimet lidhen me procedurat e prokurimit dhe menaxhimin e fondeve në dy prej institucioneve më të rëndësishme akademike dhe diplomatike të BE-së.

Dyshohet se kontratat publike dhe projektet e financuara nga fondet europiane mund të jenë favorizuar në mënyrë të paligjshme, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e administrimit të fondeve.

Burime nga hetimi konfirmojnë se janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike, ndërsa çështja po hetohet nga organet belge në bashkëpunim me strukturat europiane kundër mashtrimit./ Politiko

Të fundit