Flash News

KRYESORE

Ditmir Bushati kundër Ramës dhe Klosit? Ministri i jep hapësirë shqetësimit të aktivistëve

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati duket se është kundër planeve të qeverisë ku ai bën pjesë, për ndërtimin e disa hidrocentraleve në lumin e Vjosës. Dhjetëra aktivistë shqiptarë dhe shumë shoqata të huaja kanë ndërmarrë prej disa vitesh nisma të ndryshme për të ruajtur Vjosën, që është edhe lumi i vetëm ‘i egër’ në Evropë.

Ministri Bushati ka shpërndarë në profilin e tij në ‘Twitter’ një artikull të medias britanike ‘The Guardian’, ku pasqyrohen shqetësimet e aktivistëve për planet e qeverisë shqiptare.

Parlamenti Evropian ka miratuar gjithashtu një rezolutë ku kërkohet që lumi Vjosë të mbetet i paprekur, si i fundit në Evropë që rrjedh lirshëm nga burimi në malet e Pindit deri në detin Adriatik.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, po tregohen të shurdhër ndaj kërkesave të aktivistëve dhe pushtetit lokal.

Vitin e kaluar ishin bashkitë e Përmetit, Tepelenës, Memaliajt, Mallakastrës dhe Selenicës që firmosën një deklaratë të përbashkët kundër ndërtimit të hidrocentraleve.

Vetë kryeministri Rama ka shkelur premtimin e bërë në fushatën e vitit 2013-të, kur deklaroi se do orientonte zhvillimin e zonës drejt turizmit dhe jo ndërtimit të digave në lumin që është pjesë e historisë, kulturës dhe ekonomisë të një pjesë të konsiderueshme të jugut të vendit.

Të fundit