Flash News

KRYESORE

Ditmir Bushati nuk e mohon se Edi Rama ka mbështetur ndryshimin e kufijve

Ditmir Bushati nuk e mohon se Edi Rama ka mbështetur ndryshimin e kufijve

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka dhënë një intervistës për gazetën austriake ‘Der Standard’, ku nuk ka mohuar se kryeministri Edi Rama i ka dhënë mbështetje ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë.

Pyetja e gazetarit për ish-ministrin ishte e drejtpërdrejtë: “A mendoni se e ka dëmtuar Shqipërinë në çështjen e negociatave për anëtarësim, fakti që Kryeministri Edi Rama ka mbështetur idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?”

Bushati nuk e ka mohuar faktin e prezantuar nga gazetari i ‘Der Standard’, për mbështetjen e Ramës pro kësaj ideje, por është shmangur duke dhënë një përgjigje të përgjithshme, ndërsa ai vetë e konsideron propozimin si një hap mbrapa për Ballkanin.

“Ballkani ka kaluar nëpër faza të ndryshme, ka pasur luftëra dhe konflikte ndëretnike, atëherë, kemi patur Marrëveshjen e Dejtonit, ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, kemi qenë në njëfarë mënyre gjithnjë në situatën e menaxhimit të krizës.

Por më pas u përqafuam metodat dhe parimet europiane për shkak se BE ishte e përfshirë dhe gjithashtu për shkak të bashkëpunimit rajonal. Por, në dy vitet e fundit, sidomos vitin e kaluar, na u ofruan të ashtuquajturat “zgjidhje magjike” nga shekulli i 19-të, për të zgjidhur sfidat e shekullit të 21-të.

Në dy dekadat e fundit në fokus ishte bashkëpunimi rajonal dhe procesi i anëtarësimit në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti, qytetarët dhe ish-armiqtë duhet të kthehen në fqinjë të mirë duke u përpjekur për të zgjidhur këto mosmarrëveshje.

Megjithatë, fakti se ky shkëmbim territorial i shekullit të 21-të tani po debatohet në qendër të Europës, tregon një hap prapa, një lloj “rruge që të nxjerr më shkurt” që në mënyrë cinike përbën një alternativë për pranimin në BE”, ka thënë ish-ministri.

Gjatë debatit për ndryshimin e kufijve, kryeministri Rama nuk e mbështeti asnjëherë publikisht, por as nuk e hodhi poshtë si ide, çka  u interpretua në Tiranë, Prishtinë dhe kancelaritë e Evropës si mbështetje në favor të ndryshimit.

Edhe konstatimit të gazetarit se u shkarkua nga detyra si ministër vetëm sepse ishte kundër idesë së ndryshimit të kufijve, Bushati nuk i dha një përgjigje negative, por i është shmangur.

Të fundit