Flash News

KRYESORE

Djali i dy artistëve të njohur rrëfen si u dhunua nga policia: Ishim ende brenda kur nisi shembja e Teatrit

Djali i dy artistëve të njohur rrëfen si u dhunua nga policia:

Eldon Luarasi, djali i dy artistëve të njohur Mihallaq dhe Edi Luarasi ka dëshmuar për dhunën e ushtruar mëngjesin e së dielës, kur u shemb Teatri Kombëtar. Ka qenë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ajo që ka publikuar foto dhe dëshminë e tij, i cili rrëfen se kur u sulmua nga policia, së bashku me disa artistë të tjerë janë ngjitur në katet e sipërme të ndërtesës, ndërsa shton se ndërkohë që ndodheshin ende brenda, nisi dhe shembja.

"Në orën 4:30 të mëngjesit ishim të ulur në sheshin e teatrit kur befasisht u sulmuam nga një numër i madh forcash policore të Reneas të armatosur me armë automatike. Disa prej nesh u futën në brendësi të godinës së teatrit për t'u mbrojtur nga ky sulm.

Në errësirë të plotë u ngjitëm në katet e sipërme dhe u mbyllëm në një dhomë të katit të tretë. Aty ishim: Robert Budina, Mirela Karabina, Eldon Luarasi, Besjona Vidrica, Ervin Goci, Arnen Sula, Ergin Zaloshnja, Fatos Paçrami dhe dy të tjerë.

Ndërkohë që po tentonim të lajmëronim me telefona miqtë tanë për çfarë po ndodhte, dëgjuam zhurmat e fillimit të shembjes së godinës ndërkohë që ishim ende brenda.

Nisëm të zbresim poshtë drejt derës kryesore të teatrit ndërkohë që u përballëm me një mori forcash policore të armatosura të cilët na dhunuan fizikisht dhe verbalisht duke na tërhequr zvarrë në errësirë drejt hyrjes së pasme të teatrit sepse në hyrjen kryesore kishte nisur shkatërrimi. Në shesh u përballëm me qindra forca policore që mes dhunimeve fizike e verbale na nxorrën jashtë perimetrit të teatrit.", thekson Eldon Luarasi.

Të fundit