Flash News

OP-ED

“Djali i të madhit Kadri Roshi”

“Djali i të madhit Kadri Roshi”

Gent Gaba

Në përgjigje të peticionit që një grup artistësh i dërguan presidentit Ilir Meta, që ky të mos e dekretojë ligjin që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar, kryebashkiaku i Tiranës ka bërë bashkë një grup tjetër artistësh, që kanë firmosur një kundër-peticion, ku i kërkojnë Presidentit të Republikës të dekretojë menjëherë ligjin dhe t’i hapë rrugë shembjes së menjëhershme të Teatrit.

Ky zhvillim i ri në epopenë e kësaj vere krijon spunto për tre reflektime.

I pari lidhet me raportimin që mediat afër mazhorancës i bënë nismës pro shembje. Lexohej, në rreshtat me të cilën rrëfehej ngjarja, po i njëjtit tekst, që me shumë gjasa kishte dalë nga zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës. Për të sugjestionuar lexuesin, sikurse raportoi edhe Politiko.al, të gjitha “lajmet” e shpërndara nga gazeta dhe portale, kishin tre elementë nëpërmjet të cilëve kërkohej t’i jepej një vlerë eprore kundër-peticionit.

“Një grup artistësh, kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës shqiptare”, “djali i të madhit Kadri Roshi”, që medemek mbush në këtë rast këpucët e të atit, dhe “Peticionit i janë bashkuar edhe aktorët e dashur për publikun”. Ndonëse prania e një “kryeredaktori”, aspak okult, nuk habit më, dhe për cilësinë e disa mediave lexuesit janë tashmë të vetëdijshëm, ajo që duhet të na bëjë të reflektojmë nuk është më natyra “copy&paste” e këtyre romuzeve, por përpjekja për t’i dhënë peshë publike këtij peticioni. Në një vend pa Gjykatë Kushtetuese, beteja që duhet fituar është ajo ndaj opinionit publik. Pak rëndësi ka nëse atyre katër-pesë emrave të njohur iu bashkëngjiten një tufë anonimësh, për të cilët është i nevojshëm një hulumtim në Google, Fejsbuk apo Instagram.

Reflektimi i dytë është ai mbi rolin e aktorëve. Pavarësisht se disa e nisën si protagonistë dhe e bitisën si figurantë, ata ishin bilbilfryrësit (whistleblowers-at) e parë në këtë allishverish. Qoftë ata që sot firmosën për prishjen e Teatrit, apo të tjerët që vijojnë të protestojnë dhe po ashtu janë firmatarë të një peticioni për mbrojtjen e tij, përbëjnë një segment fare të vogël në përmasën tejet të madhe që ka kjo çështje për interesin publik dhe për demokracinë tonë të brishtë. Edhe nëse gjithë aktorët do të ishin pro ligjit të posaçëm, pro shkatërrimit të historisë, pro tjetërsimit të pronës publike, kjo nuk do ta bënte aspak të drejtë vendimin e mazhorancës për shembjen e Teatrit. Sigurisht, artistët që shfaqën një ndërgjegje të lartë qytetare, duke ‘dalë komit’ përballë një qeverie arrogante dhe shtypëse, duhen përshëndetur për forcën e guximit të tyre. Megjithatë kjo histori, në çdo moment të saj, nuk ka qenë asnjëherë vetëm për Teatrin dhe vetëm e aktorëve.

Reflektimi i tretë ka të bëjë me dilemën mbi mënyrën se si duhen përdorur artistët nga ana e Ramës dhe Veliajt. Kryeministri i përjashtoi ata nga vendimmarrja, ndoshta sepse nuk i kontrollonte dot  të gjithë, duke e konsideruar një mjedis publik, tha se Teatri nuk është pronë as e aktorëve dhe as regjisorëve. “Nuk ka debat me aktorët nëse duhet apo nuk duhet Teatri”, tha Kryeministri. Nga ana tjetër, Veliaj me peticionin e sotëm kërkon ende të bindë opinionin publik se aktorët janë me të. Një linjë krejt e pangjashme  nga ajo e shefit të tij, ndoshta sepse ndryshe nga Rama, ai do të përballet me zgjedhësit në më pak se një vit. Aktorët në këtë rast i shërbejnë për të legjitimuar një aksion që, sigurisht, do ta penalizojë në zgjedhjet e 2019-ës. Përtej shfaqjes arrogante që ofroi sot, të vendosësh dorë mbi pronën publike, duke shkelur Kushtetutën, për t’i hapur rrugë kullave që kundërshtoi me agresivitet në fushatën e vitit 2015, është një kafshatë e hidhur, edhe për një aktor si Veliaj, prandaj i lipsen bashkëfajtorë, për të ndarë përgjegjësinë.

“Nuk kam qenë vetëm në atë vendim-  do të thotë në takimet zgjedhore verën e ardhshme përballë tiranasve - e mbani mend?! Me mua ishte edhe djali i të madhit Kadri Roshi”.

 

 

 

Të fundit