Flash News

KRYESORE

“Do ta zhbëjmë vendimin”, ç’kërkuan Rama dhe ministrat e tij pasi gjyqtarët shpëtuan Dritan Dajtin nga burgu përjetë

“Do ta zhbëjmë vendimin”, ç’kërkuan Rama

Prokuroria e Posacme Anti- korrupsion e njohur ndryshe si SPAK ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj tre gjyqtarëve që pranuan kërkesën për gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin.

Tre gjyqtarët Petrit Aliaj, Aleks Nikolli dhe Skënder Damini u hetuan gjatë 2019-ës si të dyshuar për ‘korrupsion pasiv’ pasi kthyen dënimin e përjetshëm ndaj Dajtit në 25 vite burg.

Çeshtja u pushua nga prokurori Klodian Braho, pasi nuk janë gjetur elementë të veprës penale.

Bëhet fjalë për një vendim të shkurtit të një viti më parë, kur Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin për burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili vrau katër policë në gusht të 2009-ës, në qytetin e Durrësit dhe lehtësimin e dënimit në 25 vite burg, pasi trupi gjykues pranoi kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

Duke qenë se ka qëndruar për 10 vite në burg, atij nuk i kanë mbetur më shumë se 10 vite heqje lirie.

Megjithatë, në vendim gjyqtari Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha u shprehën pjesërisht kundër vendimit për gjykim të shkurtuar ndaj Dajtit. Ndërsa, tre kolegët e tjerë, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini firmosën dokumentin për lehtësimin e dënimit me burg vetëm me 25 vite të Dajtit.

Ky vendim u shoqërua me një ‘furtunë’ reagimesh edhe në politikë, ndërsa me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u kryen kontrolle të imtësishme në banesat e këtyre 3 gjyqtarëve.

Gjatë kontrollit në banesën e gjyqtarit Damini, kujtojmë se u gjetën 17 mijë euro dhe 8 fishekë. Avokati në atë kohë deklaroi se paratë i përkisnin djalit të tij biznesmen, kurse fishekët i kishin mbetur nga neglizhenca në shpi, ndonëse më herët kishte dorëzuar sipas ligjit një pistoletë që e mbante me leje.

Si reaguan ndaj vendimit të gjyqtarëve Rama, ministrja Gjonaj, Lleshaj dhe BE:

Edi Rama: “Për sa i përket gjykimit të shkurtuar të atij vrasësit nuk ka të bëjë me ligjin por me njerëz të ligj dhe të korruptuar, të cilët nuk janë vetëm ata por janë plot, për shkak të vettingut po i bien me top. Jo vetëm po i bien me top por kryen një akt kriminal sepse faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do i ndahemi kësaj çështjeje dhe besoj se këtë vendim do e zhbëjmë. Besoj se këta gjykatës nuk do ia dalin të shpëtojnë kaq lehtë”

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj: Vendim i paprecedentë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ndaj shtetasit Dritan Dajti. Nga verifikimet rezulton se tre anëtarë nga pesë  gjithsej kanë vendosur uljen e dënimit  me 25 vite.  Për këtë arsye i jam drejtuar  KLGJ për marrjen e vendimit të shkarkimit të  tre gjyqtarëve. Jam besim plotë se KLGJ-ja do të veprojë shpejt për procedimin disiplinor. Reagimi i qeverisë nuk ndalet as këtu, por edhe as me kaq.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj: Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e Policisë së Shtetit, por as edhe tek unë si Ministër i Brendshëm, derisa ky vendim, jo vetëm të zhbëhet nga Gjykata e Lartë, por edhe derisa autorët e këtij akti të pashembullt dhe fyes për gjakun e gjithë dëshmorëve të PSH të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.

Ambasadori i BE, Luigi Soreca:  Vendimi duhet vlerësuar urgjentisht nga KLGJ dhe Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku.

 

Në ngjarjen e ndodhur më 7 gusht të 2009-ës, mbetën të vrarë policët Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, të cilët kishin shkuar për ta arrestuar, pasi Dritan Dajti ndodhej në kërkim.

Gjatë procesit të gjatë gjyqësor, Dajti është mbrojtur duke deklaruar se nuk kishte dijeni se personat ishin efektivë të policisë dhe ka qëlluar për t’u vetëmbrojtur.

Të fundit