Flash News

KRYESORE

“Do të heq taksën e Rrugës së Kombit, dialog Kosovë-Serbi”, premtimet e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës

Pas katër muajsh diskutimesh dhe negociatash mes lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK, dy partitë që u votuan më shumë në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit 2019, Kuvendi në Kosovë pritet të votojë qeverinë e re.

Mes dy partive së fundmi u arrit një marrëveshje duke i dhënë fund ngërçit 4-mujor, i cili erdhi për shkak të ndarjeve të posteve në një qeveri në koalicion.

Sipas këtij pakti, kreu i VV, Albin Kurti merr postin e kryeministrit të ri të Kosovës, LDK merr postin e kryeparlamentarit, ndërsa ai i presidentit është lënë ‘i hapur’ për bisedime në vijim.

 

Por, cilat janë premtimet e Albin Kurtit si kryeministri i ri i Kosovës?  

Premtimet e tij gjatë fushatës janë përqendruar në luftimin e korrupsionit dhe krimit si dhe vetingun në prokurori, gjyqësor, polici dhe inteligjencë.

Puna e parë që do ta bëjë si kryeministri i ardhshëm i Kosovës, sipas Kurtit ka qenë përmbyllja e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka premtuar një të punësuar për çdo familje në Kosovë. 1000 bursa brenda dhe jashtë vendit për gratë dhe vajzat, do të ketë barazi sociale në rast se do të udhëheqë me ekzekutivin.

“Do të fokusohemi në investimet e nevojshme në ekonomi që rrisin punësimin, për të lidhur sistemin arsimor me tregun e punës, për integrimet evropiane të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit perëndimor etj. Se qeveria jonë do ta nxjerrë Kosovën nga kriza dhe do ta vendosë atë në binarët e zhvillimit, dhe, se për këtë kemi nevojë për ndihmën ndërkombëtare, e sidomos përkrahjen e BE-së e të miqve gjermanë”, pati deklaruar gjatë fushatës Kurti.

Po ashtu, VV ka premtuar që përveç inspektorëve të punës do të pesëfishojë inspektorët e shëndetësisë, ambientit dhe ndërtimit, rritje të pagave për mjekët, se do të investojë 160 milionë euro në arsim dhe 120 milionë euro në shëndetësi dhe 400 milionë euro për ushtrinë deri në fund të mandatit. Ndërsa në sektorin e minierave dhe energjinë ai tha se do t’i investojë mbi 2 miliardë euro.

Ai ka premtuar edhe grant për Komunat e Kosovës në vlerë 600 milionë euro.

Kurti ka premtuar edhe heqjen e taksës në Rrugën e Kombit ndërsa ka thënë që do të bëjë një autostradë që do të lidhë Prizrenin me Tetovën.

“Si qeveri e re duhet të fillojmë bisedimet me qeverinë e Shqipërisë që kjo të mos vazhdoj kështu, aq më tepër kur dihet se nuk është duke përfituar shteti, se sa është duke përfituar një privat”,  u shpreh Albin Kurti në RTSH para zgjedhjeve të parakohshme.

Të fundit