Flash News

KRYESORE

Dokumentat/ ‘Kleçka’ e Fatmir Xhafajt në ligjin për ekstradimet. Agron Xhafaj i dënuar me burg, por nuk vuan as në Itali dhe as në Shqipëri

Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi denoncuan sot nga selia e Partisë Demokratike, ministrin Fatmir Xhafaj se i ka siguruar vëllait të tij, Agron Xhafajn, lirinë e përjetshme ndonëse ky i fundit është dënuar me 7 vite e 2 muaj burg në Itali, për trafik ndërkombëtar droge.

Vetë Fatmir Xhafaj e pranoi se vëllai i tij është dënuar nga autoritetet italiane, por ajo që nuk theksoi ministri i Brendshëm është se Agroni nuk ka bërë asnjë ditë burg dhe tashmë në Shqipëri atij i është siguruar paprekshmëria.

Gjatë kohës që drejtonte Komisionin e Reformës në Drejtësi, Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që sipas PD, i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj.

Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që “nuk mund të jepet ekstradimi kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishkimin e vendimit”.

Agron Xhafaj rezulton se është dënuar në mungesë nga autoritetet italiane dhe sipas pjesës së parë të ligjit, ai nuk mund të ekstradohet në vendin fqinj. Por edhe nëse i referohemi pjesës së dytë, ku thuhet se ekstradimi mund të kryehet kur shteti kërkues jep garanci për rishkimin e vendimit, sërish amniston Agronin sepse është fakt i njohur botërisht që Italia, vetëm në raste krejtësisht përjashtimore jep garanci për rishikim të vendim. Ndërkohë, Gjykata e Kasacionit në Itali ka rrëzuar kërkesën e Agron Xhafajt për rishikim të vendimit të dënimit.

Pra, Agron Xhafaj është dënuar në mungesë në Itali dhe Gjykata e Kasacionit e ka hedhur poshtë kërkesën e tij për rishikim të vendimit. Me ligjin e miratuar nga vëllai i tij në Shqipëri, për Agronin nuk mund të jepet ekstradimi sepse është dënuar në mungesë dhe shteti kërkues nuk jep garanci për rishikimin e vendimit.

Nga ana tjetër, duke hequr pjesën që kishte miratuar Komisioni, pra që në ato raste kur refuzohet ekstradimi, Ministria e Drejtësisë detyrohej të kërkonte njohjen e vendimit në Shqipëri dhe që dënimi të vuhej këtu, bëhet e pamundur për shkak të dënimit në mungesë.

PD e akuzon Fatmir Xhafajn për veprat penale të korrupsionit të zyrtarit të lartë dhe të falsifikimit të dokumenteve zyrtare, pasi këto ndryshime nuk i ka diskutuar në Komision dhe i ka falsifikuar në seancën plenare të Kuvendit.

-“Atë që kartelet më të fuqishme të botës e morën pas luftës së përgjakshme, në Shqipëri qenka bërë në mënyrën më të sofistikuar”

Faktet sipas PD-së të falsifikimit të procesverbaleve dhe vendimeve të Komisionit nga Fatmir Xhafaj:

FAKT 1: Me shkresën nr. 3960, datë 28.12.2016, grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi, ka propozuar këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, në nenin 491:

a) Në pikën 1, shkronja “c” shfuqizohet .

b) Pas shkronjës “e” shtohen shkronjat “ë” dhe “f” me këtë përmbajtje:

“ë) kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit kërkues ose të shtetit të kërkuar;

f) kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar.”

c) Pas pikës 1, shtohet pika 2 me këtë përmbatje:

“2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi.”

Pra ky propozim në komisionin e ligjeve është I qartë. Nëse një shtetas I dënuar në mungesë jashtë territorit shqiptar nuk jep pëlqimin për tu ekstaduar dhe për ta vuajtur dënimin në vendin ku është dënuar, atëherë ai e vuan dënimin në burgjet shqiptare.

FAKT 2: Sipas relacionit shoqërues (faqe 38-39), këto ndryshime lidheshin me nevojën e reflektimit të parshikimeve të konventave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar pas miratimit të Kodit të Procedurës Penale, si dhe rregullimin e problematikës së hasur në praktikë gjatë aplikimit të dispozitave.

FAKT 3: Ndryshimet janë diskutuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, në mbledhjet e tij të datave 13.03.2017; 20.03.2017; dhe 21.03.2017.

Në mbledhjen e parë të datës 13.03.2017, ndryshimi i propozuar në nenin 491 të K.Pr.P., nuk është diskutuar nga Komisioni dhe nuk është përmendur FARE gjatë prezantimit të ndryshimeve.

Në mbledhjen e dytë të datës 20.03.2017, rezulton nga procesverbali që të mos ketë patur asnjë diskutim për ndryshimin e propozuar në nenin 491 të K.Pr.P.

Në faqen 47 të procesverbalit rezulton që neni 268 (që në draft i referohet ndryshimit të propozuar në nenin 491 të Kodit ekzistues), është miratuar pa ndryshime dhe pa asnjë diskutim. Konkretisht, Komisioni është shprehur DAKORD me versionin e propozuar nga ekspertët nëpërmjet deputetes Vasilika Hysi.

Pra, është miratuar propozimi i bërë nga grupi i ekspertëve, ku shkronja “f”, kishte këtë përmbajtje: “f) kur i personi i kërkuar është dënuar në mungesë dhe nuk jep pëlqimin për t’u ekstraduar”, si dhe shtohej paragrafi 2, me këtë përmbajtje:  2. Në rastin e parashikuar nga shkronja f), Ministria e Drejtësisë fton shtetin kërkues që të kërkojë njohjen e vendimit penal të huaj dhe ekzekutimin e tij. Në rastin kur kërkesa paraqitet, zbatohen dispozitat e neneve 512 e vijues të këtij Kodi.

Edhe në mbledhjen e tretë të datës 21.03.2017, mbi ndryshimet e bëra në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, nuk rezulton të ketë patur asnjë diskutim nga anëtarët e Komsionit. Në këtë mbledhje është bërë miratimi në tërësi i ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale.

FAKT 4: Në datën 21.03.2017, Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj, i ka paraqitur seancës plenare Raportin për projektligjin ndryshues të Kodit të Procedurës Penale.

Në faqen 32 të Raportit pasqyrohet edhe ndryshimi që i bëhet nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, ku pasqyrohet se ndryshimi ishte identik me atë që kishin propozuar ekspertët dhe kishte miratuar Komisioni, pra versioni i propozuar nga deputetja Vasilika Hysi zyrtarisht.

Mirëpo, në tekstin integral të ndryshimeve që i bashkëlidhej Raportit dhe i dërgohet seancës për votim, ndryshimi në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, është shkruar një version tjetër, i falsifikuar dhe i ndryshëm nga ai që ishte miratuar dhe që pasqyrohej në Raportin shpjegues të Komisionit.

Konkretisht, ndryshimi numërtohet neni 270, dhe ka këtë përmbajtje:

“Neni 491

Nuk mund të jepet ekstradimi:

a) për një vepër me karakter politik ose kur rezulton që ai kërkohet për qëllime politike;

b) kur ka arsye të mendohet se personi që kërkohet do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale a shoqërore ose dënimeve a trajtimeve të egra, çnjerëzore a poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut;

c) kur personi që kërkohet ka kryer një vepër penale në Shqipëri;

ç) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit;

d) kur vepra penale nuk parashikohet si e tillë nga legjislacioni shqiptar;

dh) kur për veprën penale është dhënë amnisti nga shteti shqiptar;

e) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe;

ë) kur është parashkruar ndjekja penale ose dënimi sipas ligjit të shtetit të kërkuar;

f) kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit.”.

Ky version i falsifikuar nga Fatmir Xhafaj pamundëson ekstradimin e Agron Xhafajt të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë Italiane  për trafik ndërkombëtar droge me 7 vjet e 2 muaj.

Ky version po kështu pamundëson njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që Agron Xhafaj ta vuajë dënimin e formës së prerë të drejtësisë Italiane në burgjet shqiptare.

Të fundit