Flash News

KRYESORE

Dokumenti i CIA: Kush e zgjodhi Enver Hoxhën Komandant të Ushtrisë; miqtë dhe armiqtë e tij në Parti

Sot është 10 Korriku, e njohur gjatë komunzimit si 'Festa e Ushtrisë', një datë që i referohet 10 korrikut 1943, kur në Labinot u formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, në krye të të cilit, më pas u emërua Enver Hoxha, si komandat i përgjithshëm.

Legjendat dhe miti që u ngrit për komandantin gjatë Luftës nuk janë aspak të vërteta. Vetë shoku i “luftës”, i dërguari jugosllav Dushan Mugosha deklaronte se “unë e propozova Enver Hoxhën për Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë”. Sipas dokumenteve të CIA-s, të bëra publike vitet e fundit, zbulohen shumë të vërteta mbi udhëheqësin shqiptar që e mbajti vendin 45 vjet të izoluar, nën sundimin dikatorial. Duke qëndruar te Lufta, në dokumentet e CIA-s thuhet se “E ndërsa lufta shkonte drejt fundit, ai konsolidonte pozitat dhe likujdonte anëtarët e grupeve të tjera të rezistencës dhe opozitës.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në një dokument sekret që mban datën 6 shtator 1961 (Numri i dokumentit: EKA- 01908) CIA zbardh dëshminë e Dushan Mugoshës:

“Shqipëria sundohet nga diktatura e dy burrave. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu plotësojnë njëri-tjetrin, janë të domosdoshëm për njëri-tjetrin. Enver Hoxha është 52 vjeç, një person me karakter të paqëndrueshëm që shkon nga fryn era. Ai studioi në Francë dhe kërkonte të bëhej një mësues i frëngjishtes në Shqipëri. Për disa muaj, shërbeu si Sekretar i dytë në Legatën shqiptare në Bruksel, nën regjimin e Zogut. Megjithëse aktiv në rezistencë, ai është thjesht një politikan, nuk ka qenë kurrë një luftëtar në fushëbetejë, por ishte komisar politik në Shtabin e Përgjithshëm. E propozova për Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë, post të cilin e mori, jo me gëzim, në 1944. Ai ishte dyshues ndaj çdo influence, sidomos atyre të këqijave. Një mysliman nga Gjirokastra, familja e tij ka nxjerrë shumë hoxhallarë. Nuk ka aftësi administrative, por ka një prirje për të organizuar gjyqe. Ai është si brumi, mund ta shndërrosh në çdo formë që dëshiron. Jugosllavët i janë referuar atij gjatë luftës si “lopa”, si lëkura e një gjedhi, ai mund të zgjatej në çdo drejtim. Është shumë i pashëm, por një njeri i lig.”

Sipas një dokumenti tjetër sekret të CIA-s që mban datën 31 korrik 1956, duke iu referuar një burimi që e ka takuar Hoxhën katër ose pesë herë gjatë luftës, thuhet se “Hoxha përshkruhet nga burimi si një njeri që i mungojnë cilësitë e nevojshme të liderit, si agresiviteti, guximi dhe forca e personalitetit. Ai tregon një kujdes të tepruar në prezantimin e ideve të reja apo në kryerjen e veprimeve të nevojshme partiake dhe qeverisëse. Nuk merr kurrë asnjë veprim nëse nuk sigurohet se nuk do të ketë reperkusione. Si rezultat i këtyre dobësive, 'Burimi' beson se Hoxha nuk është i mirëkualifikuar për të mbajtur postin më të lartë në Shqipëri, dhe se çdo person i fuqishëm që do mbajë pozicionin e numrit 2 është kështu i aftë, nëse jo i barabartë, për t’iu afruar Hoxhës në masën e kontrollit politik mbi qeverinë...

Hoxha është i aftë që të bëjë fjalime publike me një efekt të konsiderueshëm, madje mund të shkaktojë edhe lot. Përjashtuar fjalimet e tij gjatë mbledhjeve zyrtare të partisë, qëllimi i fjalimeve publike të Hoxhës është pikësëpari për të shkaktuar emocion... Tendenca e Hoxhës për t’u shëndoshur kompensohet nga gjatësia e tij. Sipas burimit, pesha e tij luhatet sipas klimës politike. Për shembull, gjatë gjyqit të Xoxes në 1949, Hoxha humbi goxha peshë dhe rrobat i vareshin në trup si thasë. Liri Belishova dhe Beqir Balluku konsiderohen si miq të ngushtë të Hoxhës. Manush Myftiu nuk është një mik i ngushtë. Myftiu ka qenë njeri i Xoxes dhe nuk e ka angazhuar veten për të mbështetur as Hoxhën dhe as Shehun. Pilo Persiteri konsiderohet një mik i Hoxhës, e po ashtu edhe Spiro Koleka. Hoxha është përgjegjës për postin që mban aktualisht Koleka dhe e ka mbrojtur Kolekën nga përpjekjet e Shehut për ta eliminuar. Mehmet Shehu sigurisht nuk mund të konsiderohet një mik i Hoxhës, meqenëse po përpiqet ta neutralizojë pozicionin e Hoxhës dhe një ditë mund t’ia dalë në këtë qëllim.

Sipas 'Burimit', është e vështirë të numërosh me emër armiqtë e Hoxhës pasi ai nuk është përfshirë kurrë drejtpërdrejt në aksione disiplinore dhe spastruese. Megjithatë, pa dyshim Hoxha jep pëlqimin e tij për veprime të tilla, në të vërtetë është Shehu ai që urdhëron shkarkime, madje edhe kur preken anëtarë të lartë të partisë. Hoxha flet frëngjisht, italisht dhe, 'Burimi' ka dëgjuar se flet edhe rusisht.”

Të fundit