Flash News

KRYESORE

Dokumenti i SHISH u publikua në media, Shkëlzen Selimi kërkon ndërprerjen e vetting-ut: Kam dhënë 15 dënime me burg përjetë

Dokumenti i SHISH u publikua në media, Shkëlzen Selimi kërkon

Dje, Top Channel publikoi një dokument të SHISH ku rezultonte se Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë ka ndihmuar një të arrestuar për armëmbajtje pa leje që të dalë brenda pak orësh në gjendje të lirë.

Sot, Selimi ka dalë përpara trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por ndonëse nuk e ka kundërshtuar dokumentin, ai kërkoi ndërprerjen e procesit të vetting-ut deri sa të realizohen hetime për personin që ka nxjerr në media këtë dokument.

Ai përmendi karrierën e gjatë në sistemin e drejtësisë dhe dënimet me burgim të përjetshëm që ka dhënë përpara se të braktiste seancën e KPK.

“Pasi u njoha edhe me vendimin e ndërmjetëm, çmoj që vazhdimi i procesit bie ndesh me nenin 6 të Konventës së të Drejtave të Njeriut për proces të paanshem. Siç e shpjegova, dyshimi im nuk është te trupa, por te personat që kanë punuar me raportin e DSIK-së. Kanë nxjerrë sekret hetimor dhe unë s’jam vënë në dijeni. Ky proces po zhvillohet vetëm te figura. Mua s’më jane bërë me dije hetimi pasuror dhe aftësitë profesionale. Unë këtu jam për të mbrojtur dinjitetin tim. Pakkush ka mbajtur peshë penale si unë, me 15 mijë çështje të tilla mbi shpatulla. Kam gjykuar çështje penale të jashtëzakonshme. Kam dhënë mbi 15 dënime me burg përjetë. Pasi të largohem, ju lutem bëjani ju me dije publikut përgjigjet e mia për konstatimet e hetimit administrativ”, është shprehur Shkëlzen Selimi.

Shkëlzen Selimi ka patur në ngarkim disa nga çështjet më të bujshme në Shqipëri, si ajo e bandës së Lushnjes, bandës së Çërrikut, bandës së Durrësit dhe çështjen e Arben Frrokut.

Të fundit