Flash News

KRYESORE

Dorëheqja e 8 mjekëve të Urgjencës, Vargu: Takimi me zv.ministren ishte selektiv, foli mjeku që s’ firmosi peticionin

Dorëheqja e 8 mjekëve të Urgjencës, Vargu: Takimi me

Ditën e djeshme, 8 mjekë të Urgjencës Qendrore në QSUT, Petrit Vargu, Elton Calliku, Petrit Gjorgji, Besmir Kocia, Jonida Kito, Eqerem Hasani, Afrim Yzeiraj dhe Etiomena Bracaj, kanë njoftuar se do të japin dorëheqjen për shkak të kushteve të rënda të punës.

Në shkresën që i kanë dërguar drejtorit të përgjithshëm të kësaj qendre spitalore, Enkelejd Joti, mjekët kanë listuar të gjitha arsyet që i kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.

“Kushtet e punës së stafit mjekësor nuk plotësohen bazuar në kontratën punëdhënës-punëmarrës. Mbingarkesa me të sëmurë të shtruar që qëndrojnë mbi 48 orë në Urgjencë për mungesë vendesh në pavionet e tjera e moszbatimi i urdhrave të nxjerrë nga drejtoria, kemi marrë vendim që të tërhiqemi nga pozicioni ynë i punës, duke lajmëruar 30 ditë përpara”, – citohet në shkresën dërguar edhe Presidentit, kryeministrit e ministres së Shëndetësisë.

Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Petrit Vargu, një prej mjekëve të Urgjencës që ka firmosur peticionin tregon disa prej problematikave kryesore me të cilat ata përballen përditë në vendin e punës.

Vargu është shprehur se me zv.ministren ka folur shefi i urgjencës dhe se në takim nuk ka qenë i ftuar asnjë nga mjekët që ka firmosur peticionin.

“I vetmi mjek që nuk firmosi peticionin e kanë nxjerrë për të folur në emër të mjekëve që firmosën dhe kjo është qesharake, pasi ai nuk ka të drejtë të flasë”, është shprehur mjeku. Ai thekson se nëse kushtet nuk përmirësohet do të largohet bashkë me kolegët.

I pyetur nëse reagoi  Drejtori i QSUT-së në lidhje me peticionin, Vargu u shpreh, "Që të reagosh, duhet të dish. Në fillim kanë kundërshtuar që ekziston një letër e tillë e më pas kur nuk kishin më se çfarë të thoshin, nxorën variantin sesi ka arritur kjo letër te mediat. Si mund të reagojnë kur pacientët janë nga 5-6 veta në një dhomë në zonën e kuqe dhe nga 4 veta në zonat e tjera. Kjo është antihigjienike, edhe në burg nuk qëndrohet ashtu".

Të fundit