Flash News

KRYESORE

Dosja 339/ Reagon PD: Rama urdhëroi kërcënimin e gazetarëve. Marku dhe Prela pjesë e ‘grupit kriminal’

Dosja 339/ Reagon PD: Rama urdhëroi kërcënimin e gazetarëve.

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se fshihet pas kërcënimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të dënuar deri me 5 vite burg gazetarët që publikojnë materiale nga dosja 339, ku janë hetuar manipulimet e votave në Durrës dhe Lezhë.

Në vend që Edi Rama të jepte dorëheqjen, thuhet në reagimin e PD-së, ai urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor.

PD bën edhe një akuzë të rëndë ndaj drejtueseve te Prokurorisë, Arta Marku dhe Donika Prela, të cilat i konsideron pjesë të njëjtit grup të strukturuar kriminal me Astrit Avdylajn dhe Vangjush Dakon, ky i fundit kryebashkiak i Durrësit.

Pavarësisht se ndodhen në kushte presioni, PD inkurajon gazetarët dhe prokurorët që të vijojnë punën e tyre, pasi siç thotë ajo, asgjë nuk e shpëton dot kryeministrin Rama.

“Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar. Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik. As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e PD-së

Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor.

Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:

- vjedh votat,

- dhunon votuesit,

- manipulon hetimet,

- dhe kërcënon mediat.

Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias.

Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë rradhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal.

Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.

Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik.

As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar.

Të fundit