Flash News

KRYESORE

Drejtoresha e Tatimpaguesve të Mëdhenj: Ka evazion, do të verifikohen deklaratat, çmimet dhe pagat reale të punonjësve

Drejtoresha e Tatimpaguesve të Mëdhenj: Ka evazion, do të

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj diskutuan në një tryezë të përbashkët mbi aksionin anti-informalitet, problematikat por edhe mbi gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka u shpreh se biznesi e mbështet aksionin e qeverisë për formalizimin e ekonomisë, ku të zotërojë ligji dhe konkurenca e ndershme.

Drejtoresha e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa shpjegoi për bizneset mënyrën se si do të ushtrohen kontrollet dhe çfarë kërkohet nga ata për të qenë më bashkëpunues.

“Nga 400 tatimpagues të përzgjedhur nga tatimpaguesit e mëdhenj, për 100 tatimpagues do të ushtrohet vizita fiskale, ndërsa për pjesën tjetër kontrolli do të jetë nga zyra. Kjo do të thotë verifikim, mbikëqyrje e deklarimeve që ne disponojmë ose shkëmbejmë me palët e tjera”, tha Pipa.

Sipas saj, e gjitha kjo do të bëhet për të ndërhyrë sa më pak në veprimtarinë e bizneseve. Ajo paralajmëroi se ligji do të zbatohet në mënyrë të rreptë, por tatimpaguesit nuk kanë pse të shqetësohen nëse janë korrekt me ligjin.

Pipa u shpreh se problemi kryesor që evidentohet nga kontrollet në tatimpaguesit e mëdhenj është çmimi, i cili bie mbi shpinën e konsumatorit. Ajo paralajmëroi se do të nisë verifikimi i zinxhirit të transaksioneve, për të parë se si ndryshon çmimi i mallit gjatë të gjithë hallkave, nga prodhuesi e deri tek shitësit me pakicë.

Një tjetër problem shqetësues, sipas Pipës, është edhe paga reale. Shifrat sipas Pipës, tregojnë se 700 pagues VIP që janë aktivë, kanë rreth 115 mijë të punësuar në listëpagesat e tyre. Nga niveli 0-30 mijë lekë janë të deklaruar 41,600 të punësuar. Nga 30 mijë–105 mijë lekë janë 62,700 punonjës, ndërsa 10 mijë punonjës, janë mbi 105 mijë lekë.

Të fundit