Flash News

KRYESORE

Drejtori i burgut dhe kartelisti në pranga se liruan para kohe Lul Cakën, por qeveria i trembet një skandali më të madh

Drejtori i burgut dhe kartelisti në pranga se liruan para kohe Lul

Policia e Shtetit ka arrestuar drejtorin e burgut të Lushnjës Judmir Shurdhin dhe Llazar Minon me detyrë kartelist, sepse kanë liruar përpara kohe një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Berat, Lulzim Cakën.

Sipas Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Caka u lirua 4 muaj e 22 ditë përpara, kjo për shkak të llogaritjeve të gabuara nga drejtuesit e burgut.

Të arrestuarit akuzohen për “Shpërdorimin Detyre” dhe“Falsifikim të dokumenteve”. Ministrja deklaroi për mediat se Lulzim Caka është shpallur në kërkim pasi duhet rikthehet që të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.

“Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.

Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.”, tha Gjonaj.

Por ky gabim në llogaritjen e kohës së kaluar në burg të të dënuarit mund të mos jetë i vetmi. Ndërsa hetimet për dy të ndaluarit sapo kanë nisur, shteti shqiptar i trembet faktit se mund të jenë liruar të tjerë të burgosur, më herët, ashtu si edhe Caka. Këtë e pranoi edhe vetë Ministrja e Drejtësisë, që theksoi se ka nisur një hetim për të liruarit në të gjitha burgjet shqiptare

“Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Qeveria dhe personalisht si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.”, përfundoi Gjonaj.

Ministrja theksoi se në ditët që pasojnë, do të realizohet një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese.

Të fundit